Dhjetë persona janë shoqëruar deri tani ndërsa vijon operacioni i policisë për kapjen e autorëve të ekzekutimit të biznesmenit Edmond Hyka, i njohur si Mondi Mahalla, në Elbasan. Pas ngjarjes, janë ngritur më shumë se katër postblloqe në qytetet Korçë, Pogradec e Devoll, ndërsa policia ka marrë direktiva për kontrollin e mjeteve Audi me ngjyrë të zezë, që dyshohet se janë përdorur nga autorët në largim drejt Librazhdit. Kontrolli po vijon edhe për personat që disponojnë armë pa leje apo mjete të tjera të ndaluara.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, më 30 Nëntor, kur 43-vjeçari u qëllua brenda automjetit të tij tip Range Rover në lagjen “Emin Matraxhiu” të Elbasanit. Edmond Hyka sapo kishte dalë nga zyra pranë shtëpisë së nënës së tij, kur u qëllua tre herë, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Policia ndërhyri menjëherë në vendngjarje, duke ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit dhe duke kryer kontrolle në zona dhe ambiente të ndryshme. Automjeti i përdorur nga autorët dyshohet të ketë qenë një Audi i zi, i cili u largua në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd. Njësiti hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe kapjen e autorëve.