“Dy krime mafioze tronditën mbarë opinionin, Policia e Shtetit duhet ta kishte ngritur zgupthi vendin”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 01.12.2025, 00:04

Nëntori u mbyll me dy atentate mafioze që tronditën Shqipërinë. Por ndërsa krimi i organizuar po demonstronte fuqinë e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Ilir Proda, ishte në Marok, duke shpallur fitoren e madhe të institucionit që drejton.

Ironia e ngjarjes është therëse dhe absurde: Postimi frymëzues i Policisë në Facebook u bë vetëm pak orë para se biznesmeni 43-vjeçar, Edmond Mëhalla, të ekzekutohej me dy plumba në kokë brenda lokalit të tij në Elbasan, pikërisht në ditën e fundit të nëntorit.

Drejtori Proda, nga Asambleja e 93-të e Interpolit, mes 196 drejtuesish policie nga e gjithë bota, deklaronte me plot vetëbesim:

"Tashmë Policia shqiptare radhitet si e barabartë me policitë partnere, profesionale dhe e besueshme... Ju siguroj se jam shumë i vendosur për ta forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar, me qëllim që të garantojmë rend e siguri për qytetarët tanë."

Fotografitë u shkrepën. Uniformat shkëlqenin. Delegacionet duartrokitën.

Ndërkohë, vetëm pak orë më vonë, në Elbasan u shua një jetë me precizion mafioz, njësoj si 19 ditë më parë në Rinas, ku Gilmando Dani, 47-vjeç, u vra në vend, ndërsa agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani (Sheqeri), ndërroi jetë në spital pas plagëve të rënda.

Skemë identike, ekzekutim identik, zero përgjegjësi

Të dy atentatet ndjekin një model të përsëritur, që tregon dobësinë e sistemit ligjzbatues:

  • Breshëri automatiku në mes të ditës/natës
  • Arratisje spektakolare me makinë luksoze
  • Mjeti i autorëve digjet disa kilometra larg (në Halil të Fushë-Krujës për Rinasin, prisni lajmin për tjetrin së shpejti)
  • Kamera sigurie që “nuk i kapën targat” as autorët
  • Zero të arrestuar, zero të dyshuar, zero përgjegjësi

Barazi në selfie, jo në kapje autorësh

Ky kontrast midis retorikës ndërkombëtare dhe realitetit të plumbave ka shkaktuar zemërim të thellë. Një qytetar, me sarkazëm që të pret në palcë, na shkroi menjëherë pas ngjarjes:

"Kemi dy vrasjet e fundit: Rinasi dhe Elbasani. Këta në konferenca. Duhet të ishin në krye të detyrës, të kishin ngritur zgupthi vendin."

Por mos u mërzitni, qytetarë! Policia jonë tani është “e barabartë me homologët ndërkombëtarë”. Kuptohet: barazi në selfie, jo në kapje të kriminelëve.

Nëse Policia shqiptare është vërtet kaq “profesionale dhe e besueshme” sa thotë kreu i saj, le të presim kapjen e autorëve të këtyre dy atentateve brenda… 48 orëve? Jo? Atëherë brenda 48 ditëve? Jo? Të paktën brenda 48 muajve?

Përndryshe, fjala “profesionale” do të thotë thjesht: shumë e zotë për të bërë foto në konferenca, shumë pak e zotë për të penguar që krimi të na trokasë çdo fillim dhe fund muaji në derë.

Mirë se erdhe, dhjetor. Shpresojmë të mos na mirëpresësh si nëntori, me breshëri në rrugë dhe me duartrokitje në konferenca. Por duke parë se kush na ruan, ka gjasa të na mirëpresësh me të dyja.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit