Ditën e sotme rrjetet sociale janë pushtuar nga disa video tronditëse ku një tufë qensh endacakë sulmojnë fillimisht një të moshuar dhe më pas një tjetër qytetar në Lungomare, Vlorë. Skenat e ndodhura kanë shkaktuar frikë dhe indinjatë te banorët dhe qytetarët, duke risjellë në vëmendje një problem të rëndë që prej kohësh po shpërfillet nga institucionet lokale.
Në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur dy denoncime nga banorë të zonës, të cilët jo vetëm tregojnë versionin e ngjarjes, por edhe ngrejnë akuza serioze ndaj Bashkisë së Vlorës për neglizhencë dhe mosveprim të vazhdueshëm.
Sipas tyre, i moshuari i shfaqur në video prej kohësh provokon qentë endacakë në zonën e Lungomares me një shkop, sidomos kur ata janë duke fjetur, dhe pikërisht kjo ka çuar sot në tensionimin e situatës. Por banorët theksojnë se problemi i vërtetë nuk qëndron te veprimet e një individi, por te dështimi total i Bashkisë për të menaxhuar qentë endacakë dhe për të garantuar sigurinë publike.
Videoja e sotme tregon qartë pasojat e kësaj neglizhence ku një grup qensh bëhen agresivë, ndërsa qytetarët detyrohen të vrapojnë të trembur në një zonë që teorikisht duhet të jetë e sigurt, e pastër dhe e kontrolluar. Ky incident mund të kishte përfunduar shumë më keq, dhe kjo është arsyeja pse banorët po kërkojnë urgjentisht ndërhyrje.
Ata akuzojnë se Bashkia e Vlorës me në krye Brunilda Mersini nuk ka një plan konkret, nuk bën monitorim, nuk ka strukturë funksionale për grumbullimin, trajtimin dhe strehimin e qenve të rrugës, dhe ka lejuar përshkallëzimin e një problemi që prej kohësh është kthyer në rrezik publik.
“Nuk po flasim vetëm për sot. Problemi është i përditshëm. Bashkia e Vlorës ka dështuar. Kafshët s’kanë faj, fajtorë janë ata që duhet të menaxhojnë situatën dhe nuk e bëjnë,” shprehet denoncuesja.
Ky incident ka rindezur debatin a do të vazhdojë Bashkia e Vlorës të bëjë premtime boshe, apo më në fund do të marrë përgjegjësitë që i takojnë për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe mirëqenien e kafshëve?