FDA e pranon për herë të parë: Vaksinat anti-COVID lidhen me vdekjen e të paktën 10 fëmijëve amerikanë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 30.11.2025, 21:14

Një zyrtar i lartë i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) deklaroi të premten se vaksinat kundër COVID-19 ishin të lidhura me vdekjen e të paktën 10 fëmijëve gjatë periudhës 2021–2024, duke shënuar herën e parë që agjencia federale pranon publikisht një lidhje të tillë.

Drejtori i Qendrës për Vlerësimin dhe Kërkimin Biologjik (CBER) pranë FDA-së, Dr. Vinay Prasad, e bëri këtë konstatim në një memorandum të brendshëm prej rreth 3000 fjalësh, të cilin e ka siguruar ekskluzivisht rrjeti NBC News dhe që tani po qarkullon gjerësisht.

“Në fakt, ky është një zbulim thelbësor dhe tronditës,” shkruan Prasad në dokument. “Për herë të parë që nga fillimi i fushatës së vaksinimit, FDA e Shteteve të Bashkuara do të pranojë zyrtarisht se vaksinat kundër COVID-19 kanë shkaktuar vdekjen e fëmijëve amerikanë.”

Sipas memorandumit, ekipi i drejtuar nga Prasad analizoi 96 raste vdekjesh të fëmijëve të raportuara në sistemin federal VAERS (Vaccine Adverse Event Reporting System) midis viteve 2021 dhe 2024. Nga këto, të paktën 10 raste u vlerësuan si të lidhura drejtpërdrejt ose të mundshme me vaksinën kundër COVID-19, kryesisht për shkak të miokarditit, inflamacionit të rëndë të muskulit të zemrës.

Prasad akuzon drejtuesit e lartë të FDA-së se kanë injoruar për vite me radhë sinjalet e sigurisë dhe paralajmërimet e brendshme, duke shtuar se numri real i vdekjeve të lidhura me vaksinën tek fëmijët mund të jetë ndjeshëm më i lartë se sa ai që del nga raportimet zyrtare.

Dokumenti nuk përmend emrat e prodhuesve të vaksinave (Pfizer, Moderna etj.), as moshën e saktë të fëmijëve të vdekur dhe as historikun e tyre mjekësor, thekson New York Times.

Në vend që ta publikonte si studim shkencor të rishikuar nga ekspertë të pavarur, Prasad zgjodhi ta shpërndajë memorandumin vetëm brenda stafin e lartë të FDA-së të premten, duke kërkuar rishikim të menjëhershëm të rregulloreve për miratimin e vaksinave në të ardhmen.

Pediatri i njohur amerikan dhe drejtori i Qendrës për Edukimin mbi Vaksinat në Spitalin e Fëmijëve të Filadelfias, Dr. Paul Offit, e cilësoi memorandumin si “shkencë përmes njoftimit për shtyp” dhe një veprim “jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm”.

“Ky dokument nuk ofron asnjë provë të fortë shkencore që vdekjet ishin shkaktuar vërtet nga vaksinat,” tha Offit për NBC News. “Është thjesht një deklaratë e bujshme pa të dhëna mbështetëse.”

FDA ende nuk ka lëshuar ende një deklaratë zyrtare të plotë lidhur me memorandumin e Dr. Prasad, por burime brenda agjencisë thanë për mediat amerikane se çështja është ende në “shqyrtim të brendshëm”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit