Erzen Ukës i gjenden mbetje baruti, Ekspertiza: Qitjet u kryen nga brenda banesës në Orosh

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 30.11.2025, 18:38

Ekspertiza ka konfirmuar pretendimet e Policisë së Shtetit se nga brenda kullës në Orosh të Fushë-Arrëzit është qëlluar me armë zjarri në momentin kur forcat e Komisariatit të Pukës kërkuan dorëzimin e Erzen Ukës dhe Julian Cumrakut (të njohur edhe si Hamza Uka dhe Adem Cumraku).

Sipas hetuesve të përfshirë në operacionin “Oroshi”, në duart dhe rrobat e Erzen Ukës janë gjetur mbetje baruti. Uka, me eksperiencë ushtarake në Irak dhe Afganistan gjatë viteve 2000 dhe i konvertuar më pas në një mysliman radikal dhe ithtar të ISIS-it.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, pas dorëzimit të dy të dyshuarve, hetuesit gjetën një gëzhojë të shkrepur nga brenda banesës. Grupi hetimor ka sekuestruar gjithashtu kamerat e sigurisë së qytetit, ku janë identifikuar lëvizjet e Ukës, Cumrakut dhe një personi të tretë, ende të paidentifikuar, i dyshuar si ndihmës i tyre.

Po ashtu, është identifikuar vajza me të cilën Julian Cumraku ishte takuar më herët. Ajo është marrë në pyetje, por përmbajtja e dëshmisë së saj deri më tani nuk është bërë publike.

Ndërkohë, Policia e Shtetit nuk ka dhënë ende shpjegime të plota mbi rrethanat e plagosjes së Erzen Ukës, i cili u dërgua në spitalin rajonal të Shkodrës me një plagë në këmbën e djathtë, pas dorëzimit. Avokati i tij ka ngritur dyshime se plagosja është shkaktuar nga ndërhyrja e forcave RENEA, por kjo nuk është konfirmuar ende nga policia.

Prokuroria ka zyrtarizuar deri më tani vetëm akuzën e “armëmbajtjes pa leje” ndaj Ukës dhe Cumrakut, ndonëse ata janë të dyshuar për veprimtari të natyrës ekstremiste. Hetimet vijojnë për të përcaktuar qëllimin e qëndrimit të tyre në banesën ku u gjetën armë, municione dhe një flamur i ISIS-it i varur në mur.

Të dy të dyshuarit u vunë re nga policia në mënyrë rastësore gjatë një operacioni anti-kanabis në zonë. Cumraku dyshohet se është larguar me shpejtësi sapo ka parë efektivët dhe është strehuar në kullën ku më pas u gjet edhe Uka, i dënuar më herët me tre vite burg për “nxitje të urrejtjes fetare”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit