Fermerët grekë nisin protestat: Bllokohen akset kombëtare dhe sot aksi Kakavijë-Janinë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 30.11.2025, 10:37

Protestat e fermerëve në Thesali, Greqi nisin sot në mesditë, me kërkesën për dëmshpërblimet dhe fondet që, sipas tyre, u takojnë prej muajsh e nuk janë dhënë. Ata theksojnë se përballen me kosto të larta prodhimi dhe çmime të ulëta shitjeje për produkte si gruri, pambuku dhe misri.

Ndërkohë, fermerët e zonës shprehen të zhgënjyer edhe nga shuma e ulët e ndihmës së përbashkët e shpërndarë një javë më parë, të cilën e konsiderojnë shumë më të vogël nga sa prisnin.

Fermerët e Larissës, me mbështetjen e bujqve dhe blegtorëve nga Farsala dhe Magnisia, do të vendosin një bllokadë të madhe me traktorë në nyjen e Nikaias, në autostradën PΑΘΕ, jashtë qytetit. Edhe fermerë nga Tërnavosi do të marrin pjesë në këtë veprim. Ata deklarojnë se janë të vendosur të ngjiten në autostradë me çdo kusht për ta bllokuar atë.

Paralelisht, fermerët e Kardhicës do të vendosin një bllokadë në nyjen e E65, me synimin për t'u futur në rrjetin kombëtar rrugor.

Në Trikala, fermerët kanë njoftuar një bllokadë të re të mërkurën e ardhshme në nyjen e Megalohorit, ndërsa theksojnë se objektivi kryesor mbetet bllokimi i aksit E65. Gjithashtu, një bllokadë e dytë e mundshme mund të vendoset nga fermerët e Zarkos në rrugën Larisa–Trikala.

Fermerët e Magnisias kanë paralajmëruar gjithashtu se në dhjetëditëshin e parë të dhjetorit do të ndërmarrin masa për bllokimin e portit të Volos.

Protestat do të prekin edhe segmentin rrugor Kakavijë–Janinë, i cili do të jetë i bllokuar për disa orë pasditen e së dielës, 30 nëntor. Sipas njoftimit të Policisë Kufitare Greke, protesta do të zhvillohet nga ora 18:00 deri në 22:00 (ora greke). Gjatë kësaj kohe do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet me emergjenca shëndetësore.

Policia Kufitare Kakavijë ka bërë të ditur se është njoftuar zyrtarisht për bllokimin përmes qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit