Familja e Martin Canit, së bashku me grupimin qytetar “Prindër për Arsim Cilësor”, kanë vendosur stolin përkujtimor kushtuar djalit të ndjerë, pasi shkolla “Fan Noli” refuzoi kërkesën për vendosjen e tij në oborrin e institucionit.
Stoli u vendos pranë banesës së familjes Cani, në një ceremoni të thjeshtë, por me ngarkesë të fortë emocionale dhe simbolike. Përfaqësues të grupimit bënë të ditur se data 28 Nëntor u zgjodh qëllimisht, si një mesazh se atdhedashuria nis me kujdesin dhe përgjegjësinë ndaj njëri-tjetrit, veçanërisht ndaj fëmijëve.
Ata theksuan se humbja tragjike e Martinit duhet të shërbejë si kujtesë dhe thirrje për rritjen e sigurisë në shkolla, ndërsa nënvizuan se angazhimi për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet do të vijojë.
Ndërkohë, familja dhe grupimi qytetar mbeten në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga Bashkia e Tiranës dhe ZVA, lidhur me kërkesën e tyre për vendosjen e stolit përkujtimor në oborrin e shkollës “Fan Noli”.