Një video e veçantë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, duke sjellë një shembull të mrekullueshëm të ruajtjes dhe shpërndarjes së traditave tona jashtë vendit.
Në videon e dërguar nga një qytetare, shfaqet vjehrra e saj, znj. Manushaqe Paplekaj, teksa jo vetëm kërcen vetë me pasion vallet tradicionale shqiptare, por edhe u mëson belgëve hapat e këtyre valleve, të cilët shihen duke u bashkuar me entuziazëm në kërcim.
Qytetarja që ka dërguar videon shprehet me shumë krenari për vjehrrën e saj dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ajo jep prej vitesh në prezantimin e kulturës shqiptare në Belgjikë.
Mesazhi i saj i plotë:
“Përshëndetje JOQ! Kjo është vjehrra ime, Manushaqe Paplekaj, një tropojane e pasionuar pas muzikës dhe vallëzimit. Jeton që 26 vite në Belgjikë, ku u mëson personave belg vallet tona tradicionale shqiptare.”
Zonja Manushaqe, e cila prej më shumë se dy dekadash jeton larg vendlindjes, ka arritur të ruajë dhe të përcjellë me dashuri traditat e veriut, duke bërë që ritmi, lëvizjet dhe kultura jonë të njihen e të vlerësohen edhe nga të huajt.
Në videon e dërguar, ajo shfaqet duke kërcyer me elegancë dhe plot energji, ndërsa belgët marrin pjesë në valle, duke ndjekur hapat që Manushaqja u mëson me qetësi dhe përkushtim. Një moment i thjeshtë, por tepër domethënës, që tregon se kultura shqiptare vazhdon të jetojë fuqishëm kudo ku ka shqiptarë.
Qytetarja thotë se e ka dërguar këtë video “me zemrën plot”, pasi vjehrra e saj është një shembull i gjallë i krenarisë për origjinën dhe identitetin.