Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se hapësira ajrore “mbi dhe rreth” Venezuelës duhet të konsiderohet si “e mbyllur plotësisht”, një deklaratë që ka shtuar presionin e vazhdueshëm të SHBA ndaj regjimit të Maduros. Qeveria venezueliane e cilësoi këtë si një “kërcënim kolonial” që synon cënimin e sovranitetit të vendit.
Nuk ka ende një sqarim nga Shtëpia e Bardhë nëse Trump po njofton një politikë të re apo thjesht po forcon retorikën kundër Maduros. Fushata e tij ka përfshirë goditje të shumta ndaj gomoneve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësorin lindor, ku mbi 80 persona janë vrarë që prej fillimit të shtatorit. Po ashtu, SHBA ka shtuar praninë ushtarake në rajon.
Trump iu drejtua “kompanive ajrore, pilotëve, trafikantëve të drogës dhe trafikantëve të njerëzve”, por jo direkt Maduro-s.
Ndërkohë, qeveria e Venezuelës deklaroi se e “hedh poshtë fuqishëm” këtë pretendim për mbylljen e hapësirës ajrore, duke e cilësuar një akt armiqësor që cenon “integritetin territorial, sigurinë ajrore dhe sovranitetin e plotë” të vendit. Ministria e Jashtme shtoi gjithashtu se autoritetet amerikane kanë pezulluar në mënyrë të njëanshme fluturimet dyjavore të deportimit të emigrantëve venezuelianë. Mbi 13 mijë persona janë rikthyer në Caracas këtë vit përmes dhjetëra fluturimeve charter.
Javën e kaluar, disa linja ndërkombëtare nisën anulimin e fluturimeve për në Venezuelë, pasi Administrata Federale e Aviacionit në SHBA paralajmëroi për rrezikshmëri të shtuar në zonë për shkak të aktivitetit ushtarak.
SHBA nuk e njeh Maduro-n si udhëheqës legjitim të vendit dhe ai përballet me akuza për “narko-terrorizëm” në gjykatat amerikane. Ushtria amerikane ka kryer fluturime bombarduese pranë Venezuelës, ndërsa aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford është vendosur në rajon si pjesë e operacionit “Southern Spear”, ku përfshihen rreth një duzinë anijesh luftarake dhe rreth 12 mijë marinsa e marinarë.
Ndërkohë, anëtarë të Senatit nga të dyja partitë kanë kërkuar mbikëqyrje më të rreptë mbi sulmet e fundit në det, pas raportimeve se Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka dhënë urdhër verbal që të eliminohen të gjithë personat në bord gjatë një operacioni të dyshuar kundër trafikantëve më 2 shtator.
Në skenë politike ka pasur polemika edhe për mundësinë e bisedimeve mes Trump dhe Maduro-s, pasi mediat amerikane raportuan se të dy kanë komunikuar. Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar mbi këtë pretendim.
Në këtë klimë tensioni, administrata Trump po konsideron opsione të tjera ndaj Venezuelës, përfshirë edhe veprime të fshehta të CIA-s.