Industria mbrojtjes në Turqi ka prezantuar zyrtarisht një dron të ri ‘kamikaz’ me krahë fiks, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zgjerimin e kapaciteteve të saj të luftës ajrore pa pilot. Droni i ri, i ndërtuar nga kompania Skydagger, u testua me sukses të enjten përmes një lëshimi ajror të dokumentuar në një video të publikuar në platformën “X”.
Skydagger, e njohur fillimisht për prodhimin e dronëve kamikaz FPV me rotor, ka zhvilluar tashmë një linjë të plotë sistemesh të tillë. Me modelin e ri, kompania po zgjeron portofolin drejt platformave me krahë fiks, të cilat ofrojnë rreze më të madhe veprimi dhe efikasitet më të lartë aerodinamik.
Drejtori i përgjithshëm i Baykar, Haluk Bayraktar, tha se droni i ri mban emrin Skydagger Toyca-05, duke e cilësuar atë si UAV-në kamikaze më të fundit të teknologjisë turke. Pamjet e publikuara tregojnë dronin teksa lëshohet nga një katapultë dhe kryen manovra dinamike në ajër, duke demonstruar aftësitë e tij operacionale.
Sipas të dhënave teknike të bëra publike, Toyca-05 ofron, rreze veprimi deri në 70 kilometra, kapacitet mbajtës eksplozivi 5 kilogramë, mbrojtje të avancuar kundër ndërhyrjeve elektronike, modalitete të dyfishta fluturimi, FPV dhe autonomi të plotë
Skydagger deklaron se ka kapacitet të prodhojë mbi 30,000 njësi në vit të këtij modeli me krahë fiks, duke rritur ndjeshëm potencialin e furnizimit për forcat turke të sigurisë dhe për tregjet ndërkombëtare.
Paralelisht me prezantimin e Toyca-05, kompania publikoi pamje edhe nga një test tjetër i rëndësishëm: lëshimin në ajër të dronit kamikaz Skydagger 7 FPV nga UAV-ja Bayraktar KALKAN VTOL. Ky test konfirmon integrimin e suksesshëm të dy platformave të ndryshme UAV duke operuar së bashku në mënyrë të koordinuar.
Droni KALKAN, i projektuar kryesisht për misione zbulimi, vëzhgimi dhe inteligjence, demonstron se mund të shërbejë edhe si platformë ajrore për lëshimin e municioneve të vogla ose dronëve kamikaz. Ky konfigurim i ri pritet të rrisë ndjeshëm rrezen operative dhe fleksibilitetin e misioneve ajrore pa pilot.
Me këto zhvillime, Turqia forcon më tej pozicionin e saj si një nga prodhuesit kryesorë të teknologjisë UAV në rajon dhe në tregun global.