Rama anulon ankandin e pasurive të Becchetti-t, favorizohet Shpëtim Shijaku

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 29.11.2025, 17:32

Qeveria ka ndalur në vend shitjen e pajisjeve dhe makinerive të sekuestruara të Francesco Becchetti-t në Kalivaç, pasi Komisioni i Prokurimit Publik pezulloi procedurën menjëherë pas një ankese nga kompania “Shijaku” sh.p.k, në pronësi të biznesmenit Shpëtim Shijaku. Ky vendim i jep në mënyrë të drejtpërdrejtë avantazh Shijakut në garë, duke rikthyer në vëmendje lidhjet e tij të forta me aferat e inceneratorëve dhe me individët kyç të hetuar nga SPAK.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara kishte shpallur ankandin për shitjen e mjeteve të amortizuara të “Energji – Kalivaç”, me vlerë fillestare 21.7 milionë lekë, një proces që u shty disa herë nga shtatori në tetor. Pajisjet, të braktisura për më shumë se një dekadë, ishin në gjendje të rënduar, por lufta për t’i marrë ato është kthyer në një betejë ku në skenë del sërish Shijaku. Me ankesën e tij kundër kualifikimit të një kompanie tjetër, KPP urdhëroi menjëherë pezullimin e ankandit deri në një vendim përfundimtar – duke ndaluar autoritetin të kryejë çdo veprim tjetër.

KUSH ËSHTË SHPËTIM SHIJAKU Shijaku është një nga biznesmenët më të përfolur të viteve të fundit, i angazhuar në blerjen e pasurive shtetërore, projekte energjetike dhe investime “strategjike” të mbështetura nga qeveria. Ai bleu rafinerinë e Ballshit për 9 milionë euro, të cilën nuk e ringriti, por e përdori për transferim lejesh dhe shitje projektesh fotovoltaikësh duke gjeneruar fitime të shpejta, ndërsa ish-punonjësit mbetën pa paga.

Në Plazhin e Gjeneralit, kompania e tij “Mediterranean Wave” përfitoi status “investitor strategjik”, që i garanton të drejta ekskluzive shfrytëzimi të territorit dhe ndërtimin e infrastrukturës shtetërore me fonde publike, vetëm në funksion të resortit të tij privat mbi 50 milionë euro.

LIDHJET ME ZOTON DHE MËRTIRIN Dokumentet e SPAK-ut tregojnë se kompania “Shijaku” ka shërbyer në disa raste si mbulesë për interesat e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, figurat kryesore të aferës së inceneratorëve. Hetimet lidhin Shijakun me tenderin e skrapit të TEC Fier më 2014, ku sipas prokurorisë, procedura kontrollohej realisht nga Zoto. Po ashtu, në projektin e pastrimit të Shkumbinit dhe rikualifikimit bregdetar në Bashtovë, ku fitues doli një bashkim kompanish ku ndodhej edhe “Shijaku”, SPAK zbuloi se Zoto kishte dijeni dhe ndikim të plotë mbi tenderin.

Në një tjetër dosje të prokurorisë, kompania “Shijaku” del në skemën e qarkullimit të dyshimtë të parave përmes “Kriol.AL”, që kishte fatura prej miliona eurosh pa mbulim të qartë ekonomik. Sipas prokurorëve, këto lëvizje përfshinin persona të lidhur me trafikun e drogës, ndërsa sekuestrimi i 21 pasurive në emër të bashkëpunëtorëve ka shtuar dyshimet për burimin real të kapitalit.

BECCEHETTI: NGA SEKUESTRIMI TE FITIMI NË ARBITRAZH Pasuritë që po kërkoheshin të shiteshin i përkasin Francesco Becchetti-t, biznesmenit italian që u përball me akuza për pastrim parash dhe evazion. Shteti shqiptar sekuestroi kompanitë e tij në 2015, por pas një beteje shumëvjeçare ligjore, Becchetti fitoi në Arbitrazhin Ndërkombëtar. Shqipëria u detyrua t’i paguante rreth 108 milionë dollarë dëmshpërblim pasi u vlerësua se qeveria e kishte shpronësuar në mënyrë të paligjshme.

Sot, ndërsa makineritë e Kalivaçit priteshin të shiteshin për të rikuperuar një pjesë të humbjeve, procesi ndalet sapo në garë futet Shijaku – një figurë e lidhur me skemat e korrupsionit, me tendera të dyshimtë dhe me investime strategjike të mbështetura nga qeveria.

DY STANDARDET E SHTETIT Nga njëra anë, qeveria pagoi mbi 100 milionë dollarë për dështimin në Arbitrazh, duke pranuar de facto shkeljet ndaj Becchetti-t. Nga ana tjetër, në momentin që pasuritë e sekuestruara të këtij investitori dalin në shitje, procesi ndalet për t’i hapur rrugë një biznesmeni me lidhje politike dhe me një histori të ngarkuar hetimesh.

Pezullimi i ankandit të Kalivaçit është vetëm shenja më e fundit e një modeli ku pasuritë publike, asetet e sekuestruara dhe procedurat shtetërore përdoren për pazare të reja, ku përfitues duken të jenë gjithmonë të njëjtët njerëz – ata që kanë mbështetjen e pushtetit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit