Pas humbjes 1-4 ndaj PSV Eindhoven në Champions League, drejtuesit e Liverpoolit zhvilluan një takim urgjent për të diskutuar të ardhmen e trajnerit Arne Slot, raporton 'The Telegraph'. Megjithëse holandezi ende ka mbështetjen e bordit, atij i është dhënë një ultimatum: të fitojë në tre ndeshjet e ardhshme, që përkojnë me një total prej 9 pikësh.
Liverpooli rikthehet në fushë nesër përballë West Hamit, më pas pret Sunderlandin më 3 dhjetor në “Anfield”, ndërsa më 6 dhjetor përballet me Leedsin në një sfidë vendimtare.
Sezoni i kaluar nën drejtimin e Slot ishte premtues, me ekipin që triumfoi në Premier League, ndërsa përforcimet gjatë verës ngritën pritshmëritë. Megjithatë, rezultatet e dobëta dhe humbja e nëntë në 12 ndeshjet e fundit kanë ndezur alarmin dhe kanë vënë në pikëpyetje autoritetin e tij në dhomën e zhveshjes.
Ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për fatin e Arne Slot te Liverpooli. Nëse skuadra nuk arrin maksimumin në këto tre ndeshje, ndryshime të mëdha mund të ndodhin në “Anfield”, me ose pa trajnerin holandez, ndërsa Jurgen Klopp ndjek situatën nga prapaskena.