Sot, JOQ Albania rikujton një nga episodet më të errëta të lirisë së shprehjes në vend, të ndodhur pikërisht në kulmin e tragjedisë kombëtare të vitit 2019. Ndërsa Shqipëria ishte gjunjëzuar nga tërmeti shkatërrues me magnitudë 6.4, me qindra familje të goditura dhe një vend i tërë në ankth, pushteti i atëhershëm vendosi të merrej jo me tragjedinë, por me sulmin ndaj JOQ.
Pikërisht në atë ditë, kur duhej angazhim i plotë institucional për shpëtimin dhe mbështetjen e qytetarëve, u urdhërua mbyllja e domain-it “joqalbania.com”, pasi më herët Policia kishte shpallur në kërkim administratorët e JOQ Albania, një përpjekje direkte për censurë dhe presion politik. Një sulm që nisi më 28 nëntor 2019 dhe përfundimisht domain-i u mbyll më 30 nëntor 2019.
Në atë kohë, qeveria e cilësoi median si problem, ndërsa JOQ Albania ishte një ndër të paktat hapësira ku qytetarët mund të denonconin skandalet dhe abuzimet e pushtetit. Sulmi ndaj JOQ ishte goditje ndaj lirisë së fjalës, ndaj transparencës dhe ndaj çdo zëri kritik që nuk ulej në linjën e pushtetit. Instancat shtetërore, zgjodhën të godisnin JOQ me metoda që i ngjanin praktikave të një regjimi autoritar.
Ata që u bënë pjesë e mbylljes së zërit të shqiptarëve janë Edi Rama, që paralajmëroi publikisht mbylljen e JOQ, Lutfi Minxhozi, drejtuesi i atëhershëm i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Policinë e Shtetit, që shpalli në kërkim administratorët e JOQ Albania, Ilir Zela, drejtuesi i atëhershëm i AKEP që firmosi mbylljen e domain-it, si edhe pasuesi i tij, Tomi Frashëri.
Askush nuk mund të shuajë zërin e lirë. Censura nuk ka vend në një vend demokratik dhe liria e fjalës mbetet një nga themelet e Shqipërisë që duam. Në këtë betejë, fuqia e JOQ Albania ka qenë besimi i popullit shqiptar, drejtësia dhe e vërteta. Falë mbështetjes së shqiptarëve, jemi këtu ku jemi dhe do të përballojmë çdo sulm, sepse liria e fjalës dhe e vërteta nuk mund të shuhen nga askush.