Një lokal prej druri në Ksamil është përfshirë nga flakët dhe është shkrumbuar tërësisht në orët e para të mëngjesit. Lokali “Bumble Bee” përdorej nga 41-vjeçari K. I., i cili e kishte marrë me qira nga Ramadan Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj, 42 vjeç, aktualisht i paraburgosur për plagosjen e dy personave më 17 korrik në Sarandë.
Zoto u arrestua më 22 gusht. Ai, 43 vjeç, ishte në kërkim ndërkombëtar për disa akuza, përfshirë dhe rolin e tij në plagosjen e dyfishtë të ndodhur në Sarandë.
“Rreth orës 03:10, në Ksamil, ka rënë zjarr dhe është djegur plotësisht një lokal me konstruksion druri, i marrë me qira nga shtetasi K. I.. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe shkakun e rënies së zjarrit,” njoftoi policia.
Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj, 43 vjeç, rezulton i dënuar më parë në Greqi për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Aktualisht është në proces gjyqësor në Sarandë për akuzën “goditje për shkak të detyrës”. Ai konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë, pasi gjatë veprimtarisë së tij në Greqi ka shkëmbyer zjarr me policinë greke vite më parë.
Në kërkim vijon të jetë edhe vëllai i tij, Erjon Canaj, 35 vjeç. Ky i fundit në dhjetor të vitit 2022 ka dhunuar rojën e spitalit të Sarandës, ndërsa në shkurt 2024 është arrestuar në banesë me dy armë zjarri. Megjithatë, disa muaj më parë, Gjykata e Sarandës e shpalli të pafajshëm.