Ish-efektivi Igli Haxhiaj rezulton i përfshirë drejtpërdrejt në trafikun ndërkombëtar të kokainës me grupin e Elvis Doçit (Visi i Pojës). Bisedat e përgjuara në SkyECC tregojnë se Haxhiaj negocionte çmimet dhe cilësinë e drogës, duke komunikuar drejtpërdrejt me trafikantët. Ai pyet për “mall të mirë me çmim”, ndërsa anëtarët e grupit i ofrojnë “Holandë me 29” ose “të përzier me 25”. Në një moment, ai komenton: “Qenka shtrenjtë… po prapë është duke u dhënë me aq”.
Në biseda të tjera, trafikantët i tregojnë foto të kokainës me shenja “bebe”, “111”, “rolex”, “CR7”, dhe i sugjerojnë të marrë “një për provë”. Haxhiaj kërkon garantinë e cilësisë dhe thekson: “Me lek në dorë se pa lek s’dua”.
Një nga anëtarët i shpjegon skemën e çmimeve për një ngarkesë në Athinë: “29k blerja, 2k transporti, 31k… e marrim 30k”. Në një rast tjetër, kur i kërkohen “20 buk në Hollandë”, Haxhiaj ofron çmimin “28 ma le mua” dhe shton se ka një ngarkesë “të mirë në Rotterdam me 27”.
SPAK nuk sekuestroi sasi droge, ndaj Haxhiaj nuk u akuzua për trafik, por për shpërdorim detyre dhe zbulim sekretesh, pasi dyshohet se u shiste informacion trafikantëve deri në 15 mijë euro.
Grupi i Visi i Pojës dyshohet se ka trafikuar 1.3 tonë kokainë nga Amerika e Jugut në Itali, duke përdorur baza logjistike në Shqipëri dhe Breshia. Transporti bëhej me linja detare dhe më pas me kamionë, ndërsa paratë ktheheshin përmes korrierëve “money mules”. Organizata bashkëpunonte edhe me Sacra Corona Unita dhe me një kompani transporti italiane që siguronte kamionë dhe mbulim.
Pjesë nga biseda:
Haxhiaj: “Vlla si e ke punën andej… A ke noi mall të mirë me çmim?” SEJRCV: “Si e kom hajde mo tu lëviz për me bo lekët si gjithmonë. Ku? Kam Holandë me 29 me duket… Ma ofruan para ca ditësh, origjinal… Se t’përzim kam plot me 25 po të hy ne punë me luspa me krejt.” Haxhiaj: “Qenka shtrenjtë, kuptoj… Po prapë është duke u dhënë me aq.”
FM369H: “Kjo është, nuk e di sa ka akoma gjendje duhet me pyt… me 28 mund ta le ty… Fol e me thuaj, t’jap një për prove e shife. Por me këta jemi me lek në dorë.” Haxhiaj: “Kuptoj file… Ca çmimi.. A është e mirë?... Me lek ne dore se pa lek s’dua unë… A është e mirë di gjë?” FM369H: “Merreni një për test dhe vendosni… duhet t’i pyes nëse ka ngel dhe sa…”