“Athina është shtëpia ime”, Thomas Strakosha: Shqipërinë e zgjodha prej familjes, te Lazio vitet më të bukura

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 29.11.2025, 11:33

AEK-u i Athinës triumfoi 0-1 në Firenze ndaj Fiorentinës në Conference League, ku shqiptarët Thomas Strakosha dhe Stavros Pilios spikatën si dy nga lojtarët më të mirë në fushë. Strakosha, ish-portieri i Lazios dhe një emër i njohur në Itali, u ndal nga “Cronache di Spogliatoio” gjatë vizitës së tij në Firenze, duke folur për vitet në Serie A dhe kthimin në Athinë, vend që e quan shtëpi, pasi aty ka lindur.

Vitet te Lazio “Lazio e Immobiles, Luis Albertos dhe Milinkovic-Savicit? U kënaqa jashtë mase duke luajtur me ta. Kanë qenë ndoshta vitet më të mira të karrierës sime. Më i forti teknikisht? Për mua, Pedro. Mbresëlënës.”

Inzaghi dhe debutimi “Inzaghi më dha mundësinë të debutoja. Është një njeri me shumë humor, që di si të heqë presionin nga lojtarët. Do t’i jem gjithmonë mirënjohës. Po bën shumë mirë edhe në Arabinë Saudite dhe e meriton karrierën që ka ndërtuar. Shpresoj se kam kontribuar sado pak.”

Lamtumira nga Lazio “Largimi pas dhjetë viteve të mrekullueshme? Nuk kam asnjë keqardhje. E dija që herët a vonë do të kthehesha në shtëpi. Të largohesh në moshën 16-vjeçare nuk është e lehtë, por më ndihmoi të rritem si njeri. Ende jemi në kontakt me njëri-tjetrin, edhe pse pothuajse askush nga ajo skuadër nuk ka mbetur.”

Rilindja në Greqi “Pas dëmtimit në Premier League humba thuajse një vit të karrierës. Kisha dyshime: ‘A do të rikthehem ndonjëherë si më parë?’ Te AEK gjeta sërish lumturinë dhe kjo duket në fushë. Ka shumë ish-lojtarë të Serie A këtu Joao Mario, Jovic, Brignoli, Pereyra, Marin dhe gjithmonë bëjmë shaka.”

“Për Kombëtaren zgjodha Shqipërinë për familjen time, por kam lindur në Athinë dhe këtu ndjehem si në shtëpi. U surprizova nga niveli i Superligës greke, nuk e prisja këtë rritje. Ju siguroj: klubet e mëdha në Greqi s’kanë asgjë për t’u pasur zili ekipeve në Spanjë, Itali apo Angli”, përfundoi 30-vjeçari.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit