“Skandal në Londër”: Policia britanike ndërpret festën e 28 Nëntorit, shoqëron disa shqiptarë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 29.11.2025, 00:56

Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Londër, ku festa e 28 Nëntorit e komunitetit shqiptar është ndërprerë nga policia britanike. Lajmin e ka raportuar në redaksinë e JOQ Albania një shqiptar që jeton prej vitesh në kryeqytetin britanik, i cili shprehet se një situatë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Sipas emigrantit, shumë shqiptarë ishin mbledhur për të festuar Ditën e Pavarësisë me muzikë, flamuj kuqezi dhe atmosferë festive, ashtu si çdo vit. Por kësaj radhe, policia angleze ka ndërhyrë menjëherë, duke fikur muzikën dhe duke hyrë mes turmës me urdhër për t’i shpërndarë.

“Këtë vit është hera e parë që ndodh. Na ndërprenë festën dhe vinin mes nesh që të na shpërndanin. Oficeri më tha që ‘janë urdhra nga lart’, që të mos lejohet të mblidhemi më kështu vitet e tjera”, rrëfen qytetari.

Në pamjet e mbërritura në redaksinë tonë shihet ndërhyrja e forcave britanike teksa shqiptarët festonin në rrugë. Sipas dëshmitarit, rreth tre deri në katër bashkatdhetarë janë shoqëruar në rajon, ndërsa njëri prej tyre është vendosur në pranga. Në video dallohet momenti kur disa shqiptarë mbahen anash nga policët dhe drejtohen drejt furgonëve të shoqërimit.

Sipas emigrantit, shqiptarët ishin mbledhur pa makina, pa zhurmë dhe në mënyrë të rregullt, vetëm për të festuar nën ritmet e muzikës dhe flamurin kuqezi. Megjithatë, policia ka zbatuar një rregullore që, sipas tyre, ndalon “zhurmën dhe muzikën në rrugë”. Kur qytetari i pyeti se pse ky rregull zbatohej pikërisht sivjet, ai thotë se nuk mori asnjë përgjigje konkrete.

“Në çdo cep të Londrës ka muzikantë që luajnë me zë të lartë, ka lokale me muzikë, por ne nuk morëm asnjë shpjegim. Shumë prej përgjigjeve të tyre ishin ironike”, shprehet ai.

Situata është tensionuar për disa momente, dhe shqiptaret, me mënyrën e tyre karakteristike, nuk ia lanë “borxh” policisë, duke ia kthyer ‘respektin’ në kor, në stilin tipik “alla shqiptarçe”.

Në vijim të ndërhyrjes, mësohet se një prej personave të shoqëruar ishte ai që kishte vendosur muzikën gjatë festimeve dhe u thirr i pari nga policia britanike. Qytetari thekson se shqiptari i ndaluar nuk ishte pa dokumente, pasi ka dhënë të gjitha të dhënat e tij dhe jeton ligjërisht prej vitesh në Angli.

Ai shton gjithashtu se, sipas tij, autoritetet angleze janë përpjekur ta minimizojnë situatën duke dhënë shpjegime kontradiktore, ndërsa shprehet se ndihet i pambrojtur si nga shteti anglez, ashtu edhe nga ambasada shqiptare.

Pamjet tregojnë qartë se këtë vit, festa e 28 Nëntorit në Londër nuk ka qenë si herët e tjera. Për herë të parë, komuniteti shqiptar është përballur me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të autoriteteve britanike, duke shkaktuar indinjatë dhe reagime të shumta mes bashkatdhetarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit