Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se është i gatshëm të garantojë me shkrim që Rusia nuk ka ndërmend të sulmojë ndonjë vend tjetër europian. Nga Bishkek i Kirgistanit, ku mori pjesë në samitin e aleancës ushtarake CSTO, ai i quajti pretendimet për një pushtim të ri “gënjeshtra qesharake” dhe “pa sens”.
Putin tha se Moska “nuk ka pasur kurrë synim” të ndërmarrë sulme ndaj Europës, por shtoi se nëse kërkohet një siguri formale, “mund ta dokumentojmë pa asnjë problem”. Megjithatë, deklaratat e tij janë pritur me skepticizëm nga vendet europiane, duke kujtuar faktin se ai mohoi edhe pushtimin e Ukrainës pak para se ai të ndodhte në shkurt 2022.
Sa i përket përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, Putin u shpreh optimist për një draft-plan paqeje të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, duke e quajtur “bazë për marrëveshje të ardhshme”. Ai tha se Rusia është gati për diskutime “serioze”, por paralajmëroi se Moska është po ashtu e përgatitur të vazhdojë luftimet nëse Kievi nuk tërheq forcat nga Donetsku dhe Luhansku, përfshirë zonat që aktualisht nuk kontrollohen nga Rusia.
“Sapo Ukraina të tërhiqet nga këto territore, luftimet do ndalen. Nëse nuk tërhiqen, ne do ta arrijmë këtë me mjete ushtarake,” u shpreh Putin. Nga ana tjetër, Kievi ka paralajmëruar se një tërheqje e tillë do t’i hapte rrugën një sulmi të mundshëm rus drejt kryeqytetit.
Putin përsëriti gjithashtu pretendimin se qeveria e presidentit Volodymyr Zelenskyy është “jolegjitime”, duke thënë se është “ligjërisht e pamundur” arritja e një marrëveshjeje me të. Ai pretendon se Zelenskyy “ka humbur statusin e tij” pas mosmbajtjes së zgjedhjeve, ndërsa Ukraina ka sqaruar se zgjedhjet nuk mund të zhvillohen nën ligjin e luftës. Parlamenti ukrainas ka miratuar më herët një rezolutë që konfirmon vazhdimin e mandatit të Zelenskyyt.
Nga ana e tij, shefi i stafit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, ka theksuar se Kievi nuk do pranojë të heqë dorë nga asnjë territor. “Sa kohë që Zelenskyy është president, askush të mos llogarisë se do dorëzojmë tokë,” tha ai.