Mandarina me pesticide në Tiranë, 700 kg pa origjinë, autoritetet pa gjurmë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 28.11.2025, 18:34

Një tjetër skandal i sigurisë ushqimore trondit kryeqytetin. Plot 700 kilogramë mandarina të kontaminuara me pesticide janë hedhur në tregun e Tiranës, pa u ndalur nga asnjë filtër kontrolli dhe pa asnjë dokument që të tregojë se nga vinin. Rezultatet laboratorike zbuluan nivele të larta të insekticidit Pirimiphos-methyl, një substancë që duhet të mbrojë kulturat bujqësore, por që në këtë rast përfundoi në stomakun e qindra qytetarëve.

Sipas të dhënave zyrtare, sapo u konfirmua kontaminimi, u urdhërua tërheqja e menjëhershme e produktit. Por realiteti ishte krejt tjetër: nga 700 kilogramë mandarina, 660 kilogramë ishin konsumuar tashmë, ndërsa vetëm 40 kilogramë u arritën të bllokoheshin. Praktikisht, alarmi ra shumë vonë.

Ajo që e bën ngjarjen edhe më absurde është fakti se autoritetet pranojnë se produkti është vendas, por nuk ekziston as një faturë, as një dokument origjine, as një gjurmë minimale që të tregojë se kush i futi këto mandarina në treg. Sistemi i gjurmueshmërisë, që me ligj është i detyrueshëm, rezulton thjesht inekzistent. Në fund, subjekti u gjobit, por gjoba nuk sjell përgjigje për pyetjen kryesore: kush e solli produktin e rrezikshëm në treg?

Ky skandal ngre një varg pikëpyetjesh të rënda mbi mënyrën si funksionojnë institucionet përgjegjëse: Si është e mundur që një sasi kaq e madhe produkti të qarkullojë lirshëm pa asnjë dokument? Ku dështuan inspektorët? Si mund të quhet funksional një sistem gjurmueshmërie që nuk gjurmon asgjë? Kush mban përgjegjësi për faktin që qytetarët konsumuan produkte të rrezikshme pa asnjë paralajmërim?

Rasti tregon qartë se neglizhenca institucionale nuk është thjesht problem administrativ, është rrezik i drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve. Dhe derisa dikush të mbajë përgjegjësi, raste të tilla rrezikojnë të përsëriten, duke e kthyer tryezën e përditshme të shqiptarëve në një lotari të rrezikshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit