Elseid Hysaj po kalon një tjetër periudhë të vështirë te Lazio. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare është hequr nga lista e lojtarëve të federuar për ndeshjet e Serie A, me klubin kryeqytetas që ka zgjedhur të regjistrojë në vend të tij mesfushorin Fisayo Dele-Bashiru.
Lajmi u zyrtarizua nga vetë Lazio, që në komunikatën e saj theksoi: “S.S. Lazio njofton përfshirjen e Fisayo Dele-Bashiru në listën e lojtarëve të federuar në Lega Serie A, për të zëvendësuar Elseid Hysaj.”
Ky vendim pritet ta lërë Hysajn jashtë fushës në sfidat e kampionatit, të paktën deri në një rishikim tjetër të listës nga ana e klubit. Situata nuk është e panjohur për shkodranin, i cili edhe sezonin e kaluar u përjashtua për pjesën e parë të kampionatit, për t’u rikthyer vetëm më vonë në dispozicion të skuadrës.
Ajo që mbetet e paqartë është arsyeja e këtij përjashtimi, sidomos duke pasur parasysh se Hysaj këtë sezon ka zhvilluar tre ndeshje me fanellën bardhekaltër. Kujtojmë se Maurizio Sarri ka luajtur një rol të rëndësishëm në karrierën e tij, duke e promovuar te Empoli, më pas duke e marrë te Napoli dhe së fundi duke e ribashkuar me të te Lazio.