1.3 tonë kokainë drejt Italisë/ Lihet në burg efektivi i Antiterrorit: Më kanë përdorur emrin

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.11.2025, 11:21

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur masën e arrestit në burg për efektivin e Antiterrorit, Igli Haxhiaj, i cili u arrestua gjatë një operacioni të përbashkët me Italinë kundër trafikut të drogës.

Para togave të zeza, Haxhiaj mohoi të ketë qenë pjesë e grupit të Visit të Pojës dhe të ketë komunikuar me anëtarët e tij, të akuzuar për trafikun e 1.3 tonëve kokainë drejt Italisë gjatë 5 viteve të fundit. Ai deklaroi se emri i tij ishte përdorur pa dijeninë e tij dhe se nuk kishte pasur kurrë llogari në aplikacionin SkyECC.

Efektivi akuzohet për korrupsion, shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor. Ai u arrestua në ambientet e Akademisë së Sigurisë. Gjatë kohës kur kishte bashkëpunuar me grupin e Elvis Doçit, Haxhiaj ka qenë pjesë e forcave operacionale dhe dyshohet se ka dekonspiruar operacione policore.

Ndërkohë, tre anëtarë të tjerë të grupit – Asti Llupi, Altin Shehaj dhe Erald Salla – do të dalin para gjykatave të rretheve për procedurat e ekstradimit në Itali. Gjykata e Breshias ka lëshuar 24 masa sigurie, nga të cilat 3 u ekzekutuan në Shqipëri, ndërsa tre të tjerë dyshohet se fshihen po në vendin tonë.

Italia ka shpallur në kërkim Visin e Pojës dhe anëtarë të tjerë të grupit, të cilët dyshohet se trafikonin kokainë nga Amerika e Jugut drejt Italisë gjatë viteve 2020-2025. Elvis Doçi, së bashku me Denis Myftiun dhe Erion Kapidanin, koordinonin aktivitetin kriminal dhe jepnin urdhra brenda organizatës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit