Rruga Radhimë–Orikum, një nga segmentet më të rëndësishme turistike të bregdetit vlonjat, vijon të jetë prej muajsh, madje vitesh në një gjendje tejet problematike. Segmenti që duhet të ishte pjesë e një Lungomareje moderne e funksionale po shfaqet në një realitet krejt të kundërt, me reshjet e para të shiut, mungesa totale e kanalizimeve e shndërroi zonën në baltovinë dhe gjithë ndotja përfundoi direkt në det.
Banorët shprehen të revoltuar nga mungesa e punimeve dhe nga fakti që projekti duket i braktisur. Kjo gjendje jo vetëm krijon pasiguri dhe ndotje, por dëmton rëndë imazhin e zonës së Radhimës dhe Orikumit, një prej pikave më të rëndësishme turistike të Vlorës.
Në këtë kontekst, Bashkia Vlorë dhe kryebashkiakja Brunilda Mersini përballen me kritika të forta nga qytetarët, të cilët kërkojnë transparencë, përgjegjësi dhe një plan veprimi të qartë. Sipas tyre, mungesa e investimeve të finalizuara dhe zvarritja e projekteve publike po shkatërron potencialin e kësaj zone, duke e lënë të pambrojtur përballë çdo shiu.
Qytetarët kërkojnë që procesi i Lungomares në këtë segment të rishikohet urgjentisht dhe të sigurohen kanalizime funksionale që mbrojnë bregdetun nga ndotja.