Për herë të parë në Tiranë, mbahet mesha për festën e Flamurit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 28.11.2025, 11:04

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” u zhvillua Dhoksologjia e Flamurit për të nderuar simbolin kombëtar. Shërbesa e veçantë u drejtua nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Joan, i cili udhëhoqi meshën solemne në prani të klerikëve, besimtarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve.

Gjatë ceremonisë, Kryepeshkopi Joan përcolli mesazhin e tij për përkujdesin ndaj vendit dhe përgjegjësinë e qytetarëve për ta bërë Shqipërinë një vend të begatë dhe të lulëzuar. Ai theksoi se çdo shqiptar duhet të jetë kujdestar i mirë i vendit të tij, duke punuar për mirëqenien dhe paqen e komunitetit.

Fjala e plotë e Kryepiskopit Joan

Sot ne bëjmë një dhoksologji të flamurit. Përse kisha ka vendosur shërbesa të tilla? Për dy arsye shumë të rëndësishme. E para për të falenderuar perëndinë dhe e përsërisim vazhdimisht që kemi shumë arsye për ta falenderuar që na ka dhënë një vend të bukur që ka gjithçka dhe ne jemi në këtë pjesë të globit si kujdestarët të kësaj pasurie. “I Zotit është dheu dhe gjithçka që ndodhet në të”, thotë Psalmisti, që do të thotë se pronar i gjithë dheut është Zoti, që do të thotë që jemi kudjestarët dhe përgjegjësia jonë është që të jemi kujdestarë të mire, të mundohemi ta lulëzojmë dhe bekojmë këtë vend. Nëse do e bëjmë një vend të mirë ku njerëzit mund të jetojnë në paqe dhe harmoni padyshim që nuk do të lagrohen shumë njerëz. Gjithmonë për këtë arsye që disa njerëz mund të largohen. Por një largim masiv nuk do të ndodhë nëse ne do të jemi kujdestarë të mirë të këtij vendi që na ka besuar Perëndia. E falenderojmë Perëndinë për çdo gjë që na ka dhënë por na ka dhënë dhe përgjegjësinë për këtë gjë. Përgjegjësia është e të gjithëve.

Në fund të shërbesës u mbajt edhe urata tradicionale për flamurin dhe shtetin shqiptar, ku kërkohej bekimi i Perëndisë për popullin dhe vendin. Dhoksologjia e Flamurit është një mesazh i fuqishëm shpirtëror, që rikujton rolin e fesë në nderimin e historisë dhe identitetit kombëtar, duke bashkuar besimtarët në reflektim, lutje dhe krenari kombëtare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit