SI SOT/ Nëntori i dytë i Ismail Beut, 113 vite Shqipëri e pavarur dhe sovrane

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 28.11.2025, 08:41

Më 28 nëntor 1912, në kushtet e turbullta të Luftës së Parë Ballkanike dhe rrezikut të copëtimit të trojeve shqiptare, Ismail Qemali dhe 40 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare shpallën Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë. Në mbledhjen historike të Asamblesë Kombëtare, e zhvilluar në kasabanë e Vlorës, delegatët vendosën me një zë që “Shqipëria më sot të bëhet në vete, e lirë dhe e mosvarme”. Procesverbali i këtij akti u diktua nga Ismail Qemali, u shkrua në shqip nga Luigj Gurakuqi dhe më pas në osmanisht nga Shefqet Dajiu.

Nën drejtimin e Ismail Qemal Vlorës, delegatë nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën në mbledhjen historike në shtëpinë e Xhemil Bej Vlorës, ku u vendos me unanimitet ndarja përfundimtare nga Perandoria Osmane. Në ballkonin kryesor, Ismail Qemali ngriti flamurin kuq e zi, një akt që vulosi lindjen e shtetit të pavarur shqiptar. Flamuri që Ismail Qemali ngriti më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, u qëndis nga korçarja Marigo Pozio, e cila atëkohë jetonte në Vlorë, dhe është thënë se ajo flamurin e qëndisi brenda natës.

Shpallja e Pavarësisë erdhi si përgjigje ndaj planeve të shteteve ballkanike për ndarjen e territoreve osmane në Rumeli, ku Vilajeti Shqiptar rrezikonte të fshihej nga harta politike. Kryengritja shqiptare e vitit 1912 tregoi qartë dobësimin e Perandorisë Osmane dhe rriti domosdoshmërinë që shqiptarët të vepronin me unitet për të shpëtuar vendin nga copëtimi. Pikërisht për këtë arsye, Ismail Qemali tuboi delegatë nga e gjithë Shqipëria, të cilët firmosën aktin historik dhe i dhanë jetë shtetit të ri shqiptar.

Në dokumentin zyrtar të Pavarësisë u renditën 34 firma në pjesën kryesore dhe gjashtë të tjera në anën e pasme, të gjithë firmëtarë të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare. Mes tyre ishin figura të njohura si Isa Boletini, Nikollë Kaçorri, Mid’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Abdi Toptani, Qemal Karaosmani, Dhimitër Beratti, Myrteza Ali Struga, Bedri Pejani, Spiridon Ilo e shumë të tjerë. Dokumenti u ruajt për vite me radhë nga Lef Nosi dhe, pavarësisht ndërhyrjeve ideologjike të regjimit komunist që tentuan censurimin e disa firmëtarëve, ai mbetet dëshmia më e shenjtë e lindjes së shtetit shqiptar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit