Një ngjarje e rëndë e regjistruar në fshatin Pjezë të Njësisë Administrative Xhafzotaj, në Shijak, ka marrë një dimension të ri pas reagimit të familjarëve të 18-vjeçares, të cilët i janë drejtuar redaksisë sonë për të dhënë sqarime dhe pretendime lidhur me detajet e raportuara.
Familjarët theksojnë se vajza është me aftësi të kufizuara dhe nuk ka mundësi të flasë. Për këtë arsye, ata pretendojnë se çdo raportim mediatik për rrëfim verbal është i pavërtetë, pasi rasti është zbuluar përmes shenjave fizike të vajzës dhe konstatimeve të mjekësisë ligjore.
Ata sqarojnë gjithashtu se mjekësia ligjore ka vërtetuar se vajza ka qenë e paprekur më parë. Sipas versionit të tyre, ky është rasti i parë dhe i vetëm i abuzimit.
Lidhur me personin e dyshuar, familjarët pohojnë se i arrestuari, H. G., 44-vjeç, ishte komshiu i tyre i afërt dhe mik i familjes, pasi fëmijët e tij ishin moshatarë me fëmijët e tyre. Ata pretendojnë se autori e ka marrë vajzën me forcë në një banesë të vjetër dhe e ka abuzuar seksualisht, duke pranuar vetë krimin para autoriteteve.
Nga ana tjetër, Policia ka njoftuar se pas denoncimit ka arrestuar shtetasin H. G., 44 vjeç. I arrestuari po hetohet për veprat penale “Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura, me persona të paaftë për t’u mbrojtur”, ndërsa gjatë kontrollit në banesë policia sekuestroi një armë gjahu dhe një shkop gome.
Hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të rastit nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Ky është një rast që kërkon vëmendje maksimale, kujdes dhe respekt të plotë për viktimën, duke shmangur çdo interpretim të gabuar apo spekulim.
Familjarët kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe të mos humbasë në bulevardin e lajmeve, duke kujtuar se pas çdo rasti kriminal qëndron një jetë e pambrojtur që meriton mbrojtje dhe dinjitet.