Redaksisë së JOQ Albania i është drejtuar një punonjës policie, i cili pretendon se Policia e Shtetit po përballet me probleme të thella të brendshme, të cilat sipas tij rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe të vetë strukturave. Oficeri, që thotë se shërben pranë Akademisë së Sigurisë, shprehet se zhvillimet e fundit tregojnë një gjendje alarmante.
Denoncimi i tij vjen në të njëjtën ditë kur agjentët e BKH-së kanë kryer veprime në ambientet e Akademisë së Sigurisë, duke arrestuar një oficer të Antiterrorit. Ky arrestim lidhet me operacionin antidrogë Shqipëri–Itali, të zhvilluar këtë javë, ku është goditur një rrjet i dyshuar ndërkombëtar që ka trafikuar mbi 1.3 tonë kokainë ndër vite.
Sipas informacioneve të publikuara gjatë ditës së sotme, në fazat e ndryshme të operacionit janë sekuestruar 3 milionë euro, 550 mijë euro cash, 130 kilogramë drogë, automjete, armë dhe prova të tjera, si dhe janë ekzekutuar 24 masa arresti në Shqipëri, Itali, Francë dhe Britani, me mbështetjen e rreth 150 oficerëve dhe agjencive europiane.
Ndër të arrestuarit është edhe Igli Haxhiaj, oficer i Antiterrorit, i cili sipas burimeve hetimore dyshohet për korrupsion, shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor.
Denoncimi i oficerit: “Policia po shkon drejt një humnere”
Oficeri që kontaktoi JOQ Albania pretendon se ngjarjet e sotme janë vetëm “maja e ajsbergut”.
“Policia e Shtetit po shkon drejt katastrofës. Strukturat po mbushen çdo ditë me njerëz të rrezikshëm, me të shkuar problematike ose me lidhje të dyshimta. Kjo po ndodh në heshtje totale,” shprehet ai.
Sipas tij, edhe njësi që duhej të kishin standardin më të lartë të pastërtisë së figurës, si AMP dhe Antiterrori, po përballen me arrestime nga brenda strukturës.
“Ashtu siç ndodhi me oficerin e AMP-së në Rinas. Sot me oficerin e Antiterrorit. Skandalet nuk po ndalen.”
Ai shton se çdo ditë dalin në pah ngjarje të rënda, raste korrupsioni dhe episode që, sipas tij, tregojnë një dobësim të skajshëm të mekanizmave të kontrollit të brendshëm.
“Të gjithë e dinë, por askush nuk flet hapur. Askush nuk mban përgjegjësi.”
Pretendimet për rekrutime të fshehta dhe manipulime të listave
Oficeri ngre gjithashtu një tjetër shqetësim serioz që, sipas tij, është mbajtur i fshehtë nga opinioni publik.
Ai pretendon se shifra zyrtare e personave që kanë nisur trajnimin e Patrullës së Përgjithshme në janar dhe numri i të çertifikuarve në tetor nuk përputhen qëllimisht. Zyrtarisht u deklarua se janë çertifikuar 415 kandidatë, ndërsa në nisje të procesit u tha se ishin 400.
Sipas oficerit, këto diferenca lidhen me 52 persona, të cilët, siç pretendon ai, kanë qenë të angazhuar më herët në detyra operative pa pasur certifikatë sigurie.
“Këta 52 persona janë futur me urdhër dhe janë trajtuar veçmas. Thuhet se janë ‘lista e pritjes’, por në fakt janë pjesë e një grupi që shteti po e mban të fshehtë për arsye sigurie, pasi dyshohet se kanë marrë pjesë në operacione të rëndësishme.”
Ai pretendon se këta kandidatë kanë hyrë në proces “sikur të ishin konkurrentë të zakonshëm”, ndërsa në protokollet zyrtare janë cilësuar si pjesë e “listës së pritjes”, për të shmangur ekspozimin e tyre publik.
“Tani po kërkohet që të certifikohen në mënyrë anonime. Policia thotë se janë 52 fitues të ‘listës së pritjes’. Kjo po bëhet që të ruhet identiteti i tyre. Por askush nuk e di të shkuarën e tyre.”
“Siguria e shqiptarëve është në rrezik”, konkluzioni i denoncuesit
Në mbyllje, oficeri shprehet se, sipas tij, manipulimet në rekrutime dhe problemet brenda strukturave po e çojnë Policinë e Shtetit drejt një krize të thellë.
“Kur rekrutimet manipulohen dhe kur askush nuk flet, atëherë siguria e qytetarëve mbetet në dorën e Zotit. Po shkojmë drejt një humnere të rrezikshme.”
Në këtë moment, JOQ Albania thekson se të gjitha pretendimet janë të oficerit denoncues dhe se presim reagimin e institucioneve përkatëse, në mënyrë që qytetarët të informohen me transparencë të plotë mbi situatën.