Ditën e djeshme disa makina ranë në këtë gropë të madhe që ndodhet në rrugën dytësore Tiranë-Vorë, duke pësuar dëmtime të shumta, mes tyre çarja të sadokartit dhe thyerje të parakolpëve.
Shoferët raportuan se dëmet ishin të konsiderueshme, ndërkohë që autoritetet flinin gjumë dhe nuk morën asnjë masë. Pasi rasti u bë publik dje, TVA News ishte sot në vendin e ngjarjes ku u vu re se rruga ishte riparuar “shkel e shko” sa për t’i vënë emrin që “është ndërhyrë”.
Jashtë kamerave, rojet e disa bizneseve në zonë na treguan se në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, disa makina me zhavorr shkuan në zonë dhe u munduan të mbushin gropat e thella. Por duket se plani për t’i hedhur “baltë fytyrës” shoferëve u ka dështuar.
Sikurse mund të shihet nga pamjet, në rrugë ka ende prezencë të gropave dhe të ujit, çka e bën kalimin në këtë vend të rrezikshëm. Në terren ndodhen ende pjesët që thyen makinat e djeshme nga rënia në gropë.
Rruga dytësore Tiranë-Vorë, një nga më të ngarkuarat me trafik nuk ka nevojë për lojëra, por për ndërhyrje serioze. Thuajse e gjithë shtrirja e saj është e shoqëruar me gropa të thella të cilat kanë nevojë për nivelim. Ndërhyrja është e domosdoshme një orë e më parë.
Deri në momentin që shtetit t’i dalë gjumi i shiut që përmbyti këto ditë Shqipërinë, shoferët këshillohen të tregojnë kujdes në këtë aks rrugor.
Shkrimi u mor nga TVA News!