Një rast i pazakontë mashtrimi ka tronditur Italinë, ku një 56-vjeçar i papunë dyshohet se ka përfituar për tre vite rresht pensionin dhe të ardhurat nga pronat e nënës së tij së ndarë nga jeta, duke u maskuar si ajo. Sipas llogaritjeve, ai ka përfituar rreth 61 mijë dollarë (53 mijë euro) në vit.
Raportimet nga mediat italiane thonë se burri nuk e ka njoftuar kurrë vdekjen e nënës së tij, Graziella Dall’Oglio, 82-vjeçe. Trupi u gjet i mumifikuar në banesën familjare, i futur në një mbulesë në dhomën e lavanderisë.
Ndërkohë, i dyshuari kishte nisur të vishej si e ëma, duke përdorur paruke, bizhuteri dhe grim të rëndë. Madje, ai kishte arritur të rinovonte edhe kartën e identitetit të saj në një zyrë shtetërore. Autoritetet e kanë cilësuar rastin si një “transformim në stilin Mrs. Doubtfire”.
Mashtrimi u zbulua nga një punonjës i bashkisë, i cili dyshoi për pamjen e “gruas së moshuar” që paraqitej për dokumente. Sipas tij, disa detaje nuk përputheshin: qafa e trashë, rrudhat e çuditshme dhe duart që nuk i përkisnin një të moshuare.
Policia po heton 56-vjeçarin për mashtrim dhe fshehje të një trupi. Nuk është bërë ende e ditur nëse ndaj tij janë marrë masa shoqëruese. Autoritetet besojnë se e moshuara ka vdekur nga shkaqe natyrore.
Kryebashkiaku i Borgo Virgilio-s, Francesco Aporti, e ka cilësuar rastin si “shumë të çuditshëm” dhe “thellësisht të trishtë”.