Lumi Erzen del nga shtrati në Sukth, disa fshatra në rrezik përmbytjeje

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 27.11.2025, 18:25

Situata në zonën e Sukthit është përshkallëzuar ndjeshëm pas daljes nga shtrati të lumit Erzen, i cili ka përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme tokash dhe ka izoluar disa fshatra. Sipas raportimeve nga terreni, rrjedha e fuqishme e ujit ka mbuluar plotësisht urën e Vardardhës, duke ndërprerë qarkullimin për mbi 1.000 banorë të zonës.

Reshjet intensive të ditëve të fundit kanë çuar në rritjen e menjëhershme të nivelit të lumit, duke shkaktuar përmbytjen e rreth 4 hektarëve tokë bujqësore. Dëmet e para janë tashmë të dukshme, ndërsa banorët raportojnë vështirësi në lëvizje dhe rrezik për izolim të plotë.

Prefekti i qarkut, në një deklaratë për mediat tha se situata është pasojë e shkarkimeve që vijnë nga zona e Tiranës, duke shtuar se fenomeni është i përsëritur në këtë segment të lumit Erzen.

“Janë shkarkime që vijnë nga Tirana, është një situatë e përsëritur. Emergjencat janë në terren, si nga Durrësi edhe nga Shijaku. Nëse do të ketë nevojë për evakuime, kemi gati konvaleshencën. Shpresojmë që kjo situatë të kalojë pa probleme,” deklaroi ai.

Forcat e emergjencave civile vijojnë monitorimin e vazhdueshëm të zonës, ndërsa ekipet e specializuara po vlerësojnë nevojën për ndërhyrje të mëtejshme dhe masa shtesë sigurie për banorët.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonat e prekura dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit