Igli Haxhiaj, oficer i Antiterrorit, është arrestuar sot nga SPAK, pasi dyshohet për përfshirje në një grup të organizuar kriminal, i goditur në një aksion të përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane.
Haxhiaj akuzohet për disa vepra penale, përfshirë nxjerrjen e sekretit hetimor, korrupsion dhe shpërdorim detyre. Hetimet dyshojnë se gjatë periudhës së kryerjes së këtyre veprave, ai ka qenë pjesë e skuadrës së Operacionales.
Arrestimi i tij u bë në Akademinë e Policisë, ku po ndiqte një kurs trajnimi 3-mujor për Antiterrorin. Më parë, ai ka shërbyer në Forcat Operacionale. Ekzekutimi i masës së arrestit u krye nga AMP-ja.
Aksioni i përbashkët mes SPAK dhe antimafias italiane nisi në orët e para të mëngjesit dhe përfshiu 21 urdhra arresti në Shqipëri, ndërsa disa urdhra të tjerë janë zbatuar në Itali. Sipas hetimeve, grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shqiptarë, ka trafikuar kokainë nga Amerika Latine dhe heroinë nga Shqipëria drejt Italisë. Bazat operacionale ndodheshin në Rovato dhe Palazzolo.
Prokuroria italiane ka lëshuar gjithsej 22 masa sigurie, ku 8 persona janë arrestuar në Breshia. Në total, 49 persona janë marrë nën hetim, prej të cilëve 46 janë shqiptarë. Giornale di Brescia raporton se gjatë aksionit u sekuestruan afërsisht 3 milionë euro të përfituara nga aktivitetet kriminale të klaneve shqiptare. Sipas hetuesve, trafiku i drogës ka gjeneruar fitime rreth 12 milionë euro. Hetimi zbuloi gjithashtu se disa shoferë autobusi nuk ishin në dijeni që po transportonin drogë.