Një 39-vjeçar nga fshati Mlizë i Elbasanit ka humbur jetën pasi u mor nga rrjedha e fuqishme e përroit që kalon pranë zonës. Viktima, Ilia Tahiri, dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes.
Familjarët dhanë alarmin pasi ai nuk u kthye në shtëpi në orët e darkës dhe nisën kërkimet përgjatë shtratit të përroit. Gjatë hetimeve, pamjet e kamerave të sigurisë të disa bizneseve pranë zonës kanë fiksuar momentin kur 39-vjeçari rrëmbehet nga uji, duke ndihmuar grupet e kërkimit në përcaktimin e drejtimit të lëvizjes së trupit.
Ekipet e zjarrfikësve dhe strukturat e emergjencave civile të Elbasanit vijuan kërkimet gjatë gjithë natës. Trupi i pajetë i të ndjerit u gjet sot në mëngjes, rreth një kilometër larg urës ku dyshohet se ka ndodhur ngjarja. Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Njoftimi i policisë:
Më datë 26.11.2025, rreth orës 20:00, kanë kallëzuar familjarët e shtetasit I. T., 39 vjeç, se ai është larguar nga banesa dje, rreth orës 13:00.
Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle të pandërprera për gjetjen e 39-vjeçarit. Gjatë kontrolleve në fshatin Kryezjarr, u gjet në një përrua, trupi i pajetë i shtetasit I. T.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 39-vjeçari ka rënë aksidentalisht në përrua dhe për pasojë është mbytur”,