Banorët e disa fshatrave të zonës së Kolonjës kanë protestuar sot në Qafzez, pranë urës së Baba Selimit, e cila shtrihet mbi lumin Osum. Shkak për protestën është izolimi i mbi dhjetë fshatrave, të cilët prej një jave po përballen me pasojat e reshjeve të rrëmbyeshme dhe përmbytjeve.
Sipas banorëve, ura që lidh fshatrat me rrugën kryesore është dëmtuar rëndë, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve dhe të mjeteve të ndihmës. Situata është edhe më alarmante, pasi në disa prej fshatrave të thellë ndodhen persona të sëmurë që nuk mund të transportohen drejt qendrave shëndetësore.
Protestuesit kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet, duke apeluar që të mos lihen në një situatë ku, siç shprehen ata, “janë në mëshirë të fatit”.