2 vite burg për zyrtarët që kërkonin vota në këmbim të legalizimeve

Shkruar nga: A Naçi | Publikuar më: 27.11.2025, 10:17

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) shpalli të mërkurën fajtorë zyrtarin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Dritan Stoka, dhe kryeplakun e Lagjes së Re në Sauk, Agim Osma, për korrupsion zgjedhor dhe ushtrim presioni gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore të vitit 2019.

Të dy zyrtarët u akuzuan për veprat penale të "Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Korrupsion aktiv në zgjedhje". Sipas vendimit të gjykatës, ata kishin kërkuar dhe siguruar lista zgjedhësish, duke bërë presion mbi qytetarët për të votuar për një parti të caktuar, në këmbim të favoreve të paligjshme, si qëndrimi në punë dhe pajisja me leje legalizimi për ndërtimet informale.

Dritan Stoka, ish-punonjës i Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës, u dënua me 3 vite burg, dënim që u reduktua në 2 vite heqje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ai do ta vuajë dënimin në një burg me siguri të zakonshme. Sipas SPAK-ut, Stoka përdorte pozitën e tij për të ushtruar presion mbi qytetarët dhe për të premtuar legalizime në këmbim të votave për Partinë Socialiste.

Edhe Agim Osma u shpall fajtor për të njëjtat akuza dhe u dënua me 2 vite heqje lirie, gjithashtu të reduktuara nga 3 vite. GJKKO vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit për Osmën, duke e vendosur atë në provë për 24 muaj. Ai kishte qenë në arrest shtëpie për shkak të problemeve shëndetësore, por kjo masë tashmë është hequr. Osma i ndalohet gjithashtu shoqërimi me persona të dënuar gjatë periudhës së provës.

Hetimet e SPAK zbuluan se të dy zyrtarët kishin kërkuar dhe marrë përfitime të paligjshme për të ndikuar në procesin e legalizimit të ndërtimit për disa qytetarë. Bisedat e përgjuara dokumentuan se ata ushtronin presion mbi votuesit dhe përcaktonin mënyrën e votimit në këmbim të favoreve administrative.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit