Fshati Lubonjë, si shumë zona të tjera në juglindje të vendit, po përballet me pasojat e reshjeve të dendura të ditëve të fundit. Lumi që kalon përmes fshatit ka kërcënuar ndjeshëm jetën e banorëve, vetëm një muaj pas përfundimit të punimeve për sistemimin e tij.
Sipas banorëve, projekti i realizuar nuk i ka bërë ballë reshjeve, duke e vënë fshatin në një situatë serioze rreziku. Ata shprehen se betonizimi i shtratit të lumit nuk ka qenë zgjidhja e duhur, dhe e kanë kundërshtuar këtë projekt që nga fillimi. Projekti, i cili ishte dedikuar trashëgimisë kulturore dhe parashikonte investime për sistemimin e lumit, sipas tyre, ka sjellë përkeqësim të sigurisë.
Banorët kërkojnë një rishikim të menjëhershëm të projektit, duke theksuar se më parë lumi ishte më i sigurt kur ishte i mbrojtur natyralisht nga pemët dhe shelgjet. Punimet aktuale, sipas tyre, janë jashtë standardeve dhe kanë nevojë për përmirësime të menjëhershme.
Me rreth 350 banorë, fshati Lubonjë kërkon ndërhyrje urgjente për të parandaluar dëme të mëdha në të ardhmen. Banorët e shqetësuar apelojnë për vëmendjen e instancave përkatëse dhe veprime konkrete për të siguruar mbrojtjen e tyre.