Dhuna digjitale po shndërrohet shpejt në një nga format më shqetësuese të dhunës në shoqëri, duke goditur kryesisht gratë dhe vajzat. Përmes mesazheve kërcënuese, publikimit të paautorizuar të fotove apo videove dhe sulmeve të vazhdueshme në rrjetet sociale, shumë prej tyre po përballen me shantazh dhe presion të fortë psikologjik.
Koordinatori për dhunën në familje në Pogradec, bën të ditur se vetëm gjatë vitit 2025 janë lëshuar 43 urdhra mbrojtjeje, nga të cilët 20 lidhen drejtpërdrejt me dhunën digjitale. Sipas tij, kjo formë dhune shpeshherë është e fshehur dhe e vështirë për t’u provuar, ndaj kërkohet që të përfshihet qartë në urdhrat ligjorë të mbrojtjes.
“Dhuna digjitale është bërë një problem shumë shqetësues. Është një dhunë e mbyllur, sepse ndodh brenda telefonit apo kompjuterit dhe viktima nuk ka ku të shpëtojë. Mesazhe kërcënuese, publikimi i fotove e videove të paautorizuara – të gjitha këto e bëjnë situatën edhe më të rëndë”.
Edhe psikologët ngrenë alarmin për pasojat serioze psikologjike që shkakton dhuna digjitale, veçanërisht tek vajzat e reja. Ata thonë se shantazhi, komentet denigruese dhe sulmet virtuale dëmtojnë rëndë shëndetin emocional të viktimave, duke çuar në raste të ankthit të thellë, izolimit dhe, në situata ekstreme, në fatalitete.
“Luhatet me imazhin dhe dinjitetin e vajzave, gjë që krijon presion të madh emocional. Shumë të reja nuk e përballojnë dot dhunën virtuale, e cila i shkatërron psikologjikisht. Fenomeni prek edhe djemtë, ndërsa agresiviteti në rrjetet sociale po rritet çdo ditë”.
Ekspertët kërkojnë përmirësim të kuadrit ligjor dhe fushata të gjera ndërgjegjësuese për sigurinë në hapësirat online, pasi dhuna digjitale po bëhet gjithnjë e më e përhapur dhe më agresive.