Mediat e huaja ngrenë alarmin: Shqipëria po përmbyt Kroacinë me mbetje plastike

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 26.11.2025, 23:42

Mbeturinat e hedhura në detet shqiptare kanë ndezur alarmin në Kroaci, ku autoritetet raportojnë për përmbytje të plazheve dhe porteve nga mbetje të transportuara nga rrymat detare. Mediat ndërkombëtare, përfshirë Lessentiel, kanë publikuar pamje dhe raportime që tregojnë gjendjen shqetësuese në plazhin e famshëm Banje në Dubrovnik, i cili është mbuluar nga sasi të mëdha mbeturinash të ardhura nga brigjet shqiptare.

Sipas mediave kroate, ekspertët dhe autoritetet lokale e vlerësojnë fenomenin si kronik dhe me rrezik të lartë për mjedisin detar, por edhe për imazhin turistik të qytetit, një ndër destinacionet kryesore në Adriatik.

Rrymat e forta të erës shiroke kanë sjellë drejt Dubrovnikut një masë të konsiderueshme mbeturinash, kryesisht plastike, dru dhe madje edhe mbetje kafshësh, të cilat kanë pushtuar portin e vjetër dhe plazhin Banje. Sipas kompanisë komunale të menaxhimit të mbetjeve Čistoća, pastrimi pritet të zgjasë disa ditë.

Kryetari i bashkisë, Mato Frankoviç, deklaroi se të gjitha ekipet komunale janë angazhuar në operacionin e pastrimit, por theksoi se kjo mbetet vetëm një zgjidhje e përkohshme. “Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë prej kohësh në kontakt me autoritetet shqiptare, sepse ne e dimë saktësisht nga vijnë mbeturinat dhe cilat janë zonat problematike. Përveç plastikës dhe drurit, po hasim edhe mbetje kafshësh,” u shpreh ai.

Frankoviç shtoi se shpreson që Ministria e Jashtme kroate të arrijë të ndërhyjë më tej, madje edhe përmes mbështetjes financiare për Shqipërinë, me qëllim adresimin e problemit. “Kjo nuk është çështje vetëm e Kroacisë, por prek edhe Italinë dhe Malin e Zi. Aktualisht po përballemi me humbje ekonomike,” theksoi ai.

Problemi nuk kufizohet vetëm në Dubrovnik. Blaž Pezo, President i Qarkut Dubrovnik–Neretva, theksoi se të gjitha gjiret me ekspozim juglindor nga Konavle deri në Lastovo po përjetojnë të njëjtin fenomen.

“Duke hedhur mbeturina në det, Shqipëria po krijon vështirësi përgjatë gjithë Adriatikut. Është një problem serioz që mund të zgjidhet vetëm përmes bashkëpunimit ndërkufitar. Nga sa jam informuar, po planifikohet edhe monitorim satelitor i detit për të identifikuar mbeturinat të cilat janë ende në det të hapur. Kjo mund të jetë një zgjidhje e mundshme,” deklaroi Pezo.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit