Fluturimi i “Air Albania” nga Tirana drejt Stambollit, i planifikuar të nisej të mërkurën në orën 18:20, është anuluar papritur dhe pa asnjë sqarim zyrtar, duke shkaktuar kaos dhe pasoja të rënda për pasagjerët. Ndër të prekurit ka qenë edhe Kombëtarja shqiptare e futbollit për vajza, e cila udhëtonte drejt Turqisë për të zhvilluar dy ndeshje miqësore të programuara më 28 nëntor dhe 1 dhjetor.
Sipas burimeve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, futbollistet dhe stafi teknik mbetën me orë të tëra në pritje, pa asnjë informacion, derisa u detyruan të kthehen mbrapsht. Zyra e “Air Albania”-s në aeroport rezultonte e mbyllur, ndërsa numrat e kontaktit të kompanisë nuk përgjigjeshin, duke e lënë ekipin dhe udhëtarët e tjerë pa asnjë mundësi asistence apo zgjidhjeje alternative.
Mungesa e komunikimit dhe mosrespektimi i standardeve minimale të transportit ajror kanë shtuar shqetësimet mbi funksionimin e kompanisë, ndërsa vetë anulimi rrezikon seriozisht programin sportiv të ekipit përfaqësues dhe angazhimet e planifikuara me kohë.
Federata njofton se Kombëtarja e vajzave do të niset sërish drejt Stambollit paraditen e së enjtes me një linjë tjetër, në përpjekje për të mos humbur ndeshjet miqësore të planifikuara.