Qeveria ‘kap ligjin për fyti’: Emërimi i Adela Xhemalit në AMF shkel hapur nenin 5!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 26.11.2025, 19:55

Në redaksinë tonë ka mbërritur një dosje me dokumente zyrtare që zbulojnë një shkelje të rëndë ligjore dhe institucionale nga Këshilli i Ministrave.

Qeveria ka propozuar znj. Adela Xhemali për drejtimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), pavarësisht se një nen kyç i ligjit e ndalon në mënyrë të prerë një emërim të tillë.

Ligji Nr. 9572, që rregullon funksionimin e AMF-së, është i qartë. Neni 5, pika (b), përcakton se: Nuk mund të emërohet në AMF asnjë person që ka lidhje familjare me drejtues të subjekteve të mbikëqyrura nga AMF në 3 vitet e fundit. Ky formulim nuk lë vend për interpretime apo manovra politike.

Dokumentet e siguruara nga redaksia jonë dëshmojnë se bashkëshorti i znj. Adela Xhemali, z. Armand Muharremi, ka shërbyer deri në muajin maj të këtij viti si Kryetar i Këshillit Administrativ të "ABI Invest". Ky është një subjekt financiar i licencuar dhe, më e rëndësishmja, i mbikëqyrur drejtpërdrejt nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Mbi këtë bazë, sipas kritereve ligjore, kandidatura e propozuar jo vetëm që ngre dyshime për konflikt interesi, por përbën një shkelje të pastër të nenit ligjor.

Denoncuesi thekson se:

“Ligji është shkelur në sy të publikut. Bashkëshorti i saj ka qenë drejtues në një subjekt që AMF e kontrollon. Kjo e bën propozimin të paligjshëm dhe duhet të rrëzohet.”

Ndërsa qytetarët dhe institucionet e tjera penalizohen për gabimet më minimale ligjore, ky rast ekspozon një normë shqetësuese ku ligji bëhet "opsional" kur bëhet fjalë për postet e larta drejtuese. Ky nuk është një rast i izoluar, por një tregues i një praktike të rrënjosur të dy standardeve.

Redaksia jonë e publikon këtë material me të gjithë dokumentacionin përkatës dhe fton znj. Adela Xhemali, Këshillin e Ministrave dhe institucionet përkatëse që të japin një sqarim zyrtar mbi këtë emërim. Deri më tani, asnjë prej palëve të përfshira nuk ka dhënë një reagim apo argument bindës që të sfidojë dokumentet dhe nenin ligjor që e nxjerr këtë propozim plotësisht jashtë ligjit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit