Policia italiane ka goditur një grup të strukturuar grabitësish shqiptarë, duke arrestuar katër anëtarë të tij pas një operacioni të mirëorganizuar në zonën e Pordenones. Autorët u kapën në flagrancë teksa po ktheheshin nga një sërë vjedhjesh të kryera në banesa të ndryshme.
Sipas autoriteteve, vlera e dëmit të shkaktuar nga grupi arrin në rreth 200 mijë euro, duke përfshirë para, bizhuteri floriri, orë luksoze dhe sende të tjera me vlerë. Gjatë kontrollit në apartamentin që kishin marrë me qira, policia gjeti një sërë provash komprometuese dhe pajisje të përdorura për të realizuar grabitjet.
Forcat e rendit sekuestruan gjithashtu një automjet luksoz, të regjistruar në emër të një personi tjetër, mbi të cilin ishin vendosur targa false për të shmangur identifikimin. Operacioni u zhvillua me pjesëmarrjen e rreth pesëmbëdhjetë oficerëve, të cilët rrethuan dhe hynë me forcë në banesën e të dyshuarve.
Njëri prej të arrestuarve kishte zhvendosur shtratin pranë dritares, me synimin për t’u arratisur në rast kontrolli. Pavarësisht kësaj, përpjekja e tij rezultoi e pasuksesshme. I vetmi që tentoi të largohej ishte një 25-vjeçar, banues në Itali që nga viti 2018, pa precedentë penalë, dhe me një adresë fiktive në zonën e Caserta-s.
Tre të arrestuarit e tjerë kanë të shkuar kriminale të dokumentuar. 35-vjeçari, në Itali që prej 2005-s, i dënuar më herët për vjedhje me thyerje (2012) si dhe për posedim mjetesh të vjedhjes dhe armëmbajtje pa leje (2023). 34-vjeçari, rezident në Itali që nga 2018-a, i arrestuar edhe në vitet 2023 dhe 2024 për të njëjtat vepra penale. Ai rezultonte gjithashtu person në kërkim, me një urdhër paraburgimi nga Prokuroria e Teramos. 36-vjeçari, banues në Itali që nga viti 2013, i dënuar më parë në vitet 2011, 2013 dhe 2021 për vjedhje, dhe aktualisht i kërkuar për të vuajtur një dënim prej dy vitesh e gjysmë, për rreth 40 episode grabitjeje në rajonin Tri-Veneto.
Gjatë operacionit u sekuestruan bizhuteri floriri, mjete të përdorura për vjedhje, si dhe shuma të konsiderueshme parash cash.
Të katër të ndaluarit janë transferuar në burgun e Pordenones, ku ndodhen në pritje të masave të sigurisë dhe vijimit të hetimeve e gjykimit.