Miliona euro tendera nga Balluku, Arbër Abazi thirret në SPAK

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 26.11.2025, 19:21

Pronari i kompanisë Alko Impex, Arbër Abazi, nipi i sh-deputetit socialist Sadri Abazi, është thirrur zyrtarisht nga SPAK dhe pritet të paraqitet më 2 dhjetor në Prokurorinë e Posaçme. Raportohet se fletëthirrja, e firmosur nga prokurori Dritan Prençi, e cakton Abazin të pyetet në cilësinë e personit që ka dijeni për një çështje penale të rëndësishme.

Bëhet fjalë për procedimin nr. 72/2025, i cili lidhet me kallëzimin e bërë nga avokatët e biznesmenit dhe botuesit të mediave News24 dhe Panorama Grup, Irfan Hysenbelliu. Ky i fundit ka denoncuar një kërcënim të bërë ndaj tij dhe familjarëve gjatë verës së këtij viti. Në gusht, Balkanweb publikoi se botuesi dhe familja e tij ishin kërcënuar me jetë nga një person i njohur për përfshirje në afera të dyshuara korruptive, të denoncuara më parë në emisionet investigative të News24. Sipas mediave të Hysenbelliut, personi që ka bërë kërcënimin ka lidhje me nivele të larta të qeverisjes.

Emri i Arbër Abazit nuk lidhet direkt me kërcënimin, por ai konsiderohet një prej njerëzve që mund të ndihmojë në zbardhjen e zinxhirit të komunikimeve dhe rrethanave të çështjes, për shkak të lidhjeve të tij të gjera në sektorin publik.

Abazi është ndër përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike në Shqipëri. Kompania e tij, Alko Impex Construction, ka një dominim pothuajse monopolistik në tenderat e pastrimit në shumicën e bashkive. Vetëm në 5 vitet e fundit, dy kompanitë e tij Alko Impex Construction dhe Alko Impex General Construction kanë përfituar mbi 90 milionë euro nga pagesat e ekzekutuara nga thesari i shtetit. Opozita ka akuzuar shpesh se Abazi është favorizuar në tendera për shkak të lidhjeve familjare me ministren Belinda Balluku.

Thirrja e tij në SPAK vjen vetëm një ditë pasi Prokuroria e Posaçme konfirmoi nisjen e një hetimi të ri penal ndaj Ballukut dhe deputetit socialist Ceno Klosi, dy emra të afërt me qeverinë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit