Një ngjarje e rëndë dhune është regjistruar në fshatin Llakatund të Vlorës, ku pronari i një lokali, 69-vjeçari Niko Hoxha, ka denoncuar në polici dhe publikisht agresionin e ushtruar ndaj tij dhe një këngëtari që performonte live.
Sipas Hoxhës, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, kur në lokal mbërriti 39-vjeçari Shpëtim Danaj, i cili sipas tij është i njohur si person problematik në zonë. Hoxha tregon se Danaj ishte i shoqëruar nga një person tjetër dhe, pasi porositën dy birra, situata degradoi.
“Shpëtim Danaj erdhi me një tjetër. Porositën dy birra dhe më solli edhe mua një. Në një moment pa asnjë arsye goditi këngëtarin me grusht. E pyeta ‘çfarë bën?’ dhe më tha ‘e do edhe ti një?’. Më goditi në fytyrë dhe në këmbë, duke përdorur edhe fjalë fyese”, – shprehet 69-vjeçari.
Hoxha tregon se, kur ka mbërritur policia është informuar se agresori përdor edhe një identitet tjetër.
“Policia më tha se ai ka edhe një emër tjetër. Është problematik në të gjithë vendin. Nuk dua të më ngatërrohet djali në këtë histori. Dua që drejtësia ta zgjidhë këtë çështje”, – shton ai.
69-vjeçari shprehet se nuk ka konflikte me askënd dhe se ngjarja ndodhi krejt papritur, pa shkak dhe pa debat të mëparshëm. Ai i bën thirrje institucioneve që të veprojnë me shpejtësi dhe të mos përfshihen persona të tjerë të pafajshëm në çështje.
Ndërkohë, policia e Vlorës ka shpallur në kërkim 39-vjeçarin Shpëtim Danaj, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet për veprat penale të dhunës dhe shkeljeve të rendit publik.