Hong Kong/ Zjarri apokaliptik përfshin kompleksin e pallateve, të paktën 13 viktima

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 26.11.2025, 19:28

Një zjarr i fuqishëm ka shkaktuar një tragjedi në Hong Kong, ku të paktën 13 persona kanë humbur jetën dhe mbi 15 të tjerë janë plagosur. Flakët kanë përfshirë disa pallate shumëkatëshe të kompleksit rezidencial Wang Fuk Court në zonën Tai Po, në pjesën veriore të qytetit.

Zjarri nisi pasditen e së mërkurës dhe u përhap me shpejtësi në disa godina, duke i kthyer 31 katet në një masë me tym të zi dhe flakë të mëdha. Sipas autoriteteve, 9 persona u gjetën të pajetë në vendngjarje, ndërsa katër të tjerë ndërruan jetë në spital. Zjarri u kategorizua “niveli pesë i alarmit”, shkalla më e lartë e rrezikut.

Mediat lokale raportojnë se disa banorë dyshohet të kenë mbetur të bllokuar brenda apartamenteve, ndërsa ekipet e zjarrfikësve janë përballur me vështirësi të jashtëzakonshme për shkak të temperaturave shumë të larta dhe rënies së mbeturinave e skelave nga fasadat e godinave.

Zëvendësdrejtori i Shërbimit të Zjarrfikësve, Chan Derek Armstrong, deklaroi se janë marrë dhjetëra telefonata për ndihmë nga banorët, ndërsa futja brenda ndërtesave ishte jashtëzakonisht e rrezikshme.

“Skelat dhe copa të strukturës po bien vazhdimisht, duke rrezikuar punonjësit tanë. Temperatura brenda është tepër e lartë, çka e bën thuajse të pamundur ngjitjen në katet e sipërme”, tha ai.

Dëshmitarët shprehen të tmerruar nga ajo që panë. “Shpresoj vetëm që të shpëtojnë të gjithë, s’ka rëndësi për pronën”, tha një 57-vjeçar, ndërsa të tjerë treguan se tymi përhapej me shpejtësi dhe dëgjoheshin zhurma të forta nga rënia e skelave.

Një 66-vjeçar, që jeton prej më shumë se 40 vitesh në një nga godinat, tregoi se ka dëgjuar një shpërthim të fortë rreth orës 14:45 dhe është larguar menjëherë nga banesa e tij, pa ditur nëse do të mund të kthehej më.

Autoritetet mobilizuan 128 makina zjarrfikëse dhe 57 ambulanca. U hapën dy strehimore të përkohshme për banorët e evakuuar, ndërsa u mbyllën edhe disa seksione të autostradës pranë zonës së zjarrit.

Banorëve përreth u është kërkuar të qëndrojnë brenda, të mbajnë dritaret të mbyllura dhe të shmangin lëvizjet në zonën e prekur.

Kompleksi Wang Fuk Court përbëhet nga tetë pallate me gati 2 mijë apartamente, ku jetojnë rreth 4800 persona.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit