Erzen (Hamza) Uka dhe shoku i tij, Julian (Adem) Cumraku, të cilët u arrestuan pas dyshimeve për përgatitje të një sulmi terrorist, janë ndihmuar edhe nga një person i tretë. Detaje të reja janë zbardhur lidhur me aktivitetin e dyshimtë të Ukës dhe Cumrakut, të cilët i rezistuan 12 orë operacionit të forcave RENEA, duke u ngujuar në një kullë të pabanuar në fshatin Orosh, pranë Fushë-Arrëzit.
Sipas hetimeve të Policisë, dy të arrestuarit kanë jetuar në këtë kullë të thellë malore për rreth një muaj, me mbështetjen e një personi të tretë, i cili udhëtonte shpesh nga Tirana drejt Fushë-Arrëzit dhe Oroshit.
Ky person, i dallueshëm për flokët e gjata, është vënë re edhe në lokalet e qytetit pranë Ukës dhe Cumrakut, ku të tre gjatë qëndrimeve të shkurtra mbanin kokën ulur. Ai disponon automjet dhe nuk ka frekuentuar dyqanet e Fushë-Arrëzit. Herën e fundit që është parë, më 18 nëntor në mbrëmje, Uka dhe Cumraku bënë blerje, ndërsa personi i tretë qëndroi në këmbë në një zonë pak të ndriçuar në qendër të qytetit ish-industrial.
Flokët e gjata duket se kanë shkaktuar edhe ngatërrime me praninë e dy grave në kullë. Personi me flokë të gjata të lidhura dhe pantallona kamuflazhi është vënë re herë pas here duke punuar edhe me dru, në shoqëri të Ukës dhe Cumrakut.
Pas dorëzimit, kontrolli në brendësi të banesës zbuloi një arsenal të plotë luftarak:4 armë automatike 1 pistoletë 17 granata dore difensive 2 mijë fishekë, Kapsolla detonatore elektrike, Fitil zjarrpërcjellës Dy gëzhoja. Në mur, mes armëve, ishte vendosur një flamur i organizatës terroriste ISIS.