SPAK dërgon për gjykim ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, dhe biznesmenin Rrok Gega, të akuzuar për korrupsion në lidhje me ndërtimin e një ure që dyshohet se favorizonte familjarët e ish-zyrtares. Sipas njoftimit zyrtar, Islamaj akuzohet për “korrupsion pasiv”, ndërsa Gega për “korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Prokuroria e Posaçme ka paraqitur kërkesën për dërgimin në gjyq të të dy të pandehurve, në bazë të dosjes penale nr. 15/2025.
Në seancën paraprake të 25 nëntorit 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë pranoi kërkesën e SPAK dhe vendosi dërgimin e çështjes për gjykim me një trupë tjetër gjykuese. Sipas vendimit nr. 149, gjykata urdhëroi që fashikulli gjyqësor të përmbajë të gjitha aktet e hetimit paraprak, ndërsa theksoi se kundër këtij vendimi nuk lejohet apelim. Akuza kryesore lidhet me dyshimin se tenderi për ndërtimin e urave në Tropojë është përdorur për të favorizuar ndërtimin e një ure që do t’i shërbente motrës së ish-kryetares.
Hetimi nisi pas denoncimit të ish-punonjësit të bashkisë, Agim Demiraj, i cili pretendoi se ishte larguar nga puna pasi kishte refuzuar të bashkëpunonte për ndërtimin e urës familjare. Sipas dosjes, një telefonatë e përgjuar mes Demirajt dhe biznesmenit Rrok Gega dokumenton se ura nuk ishte pjesë e procedurave të tenderit dhe se ndërtesa shihej si “dhuratë” për motrën e Islamajt. Të dy të pandehurit tashmë do të përballen me gjykimin e posaçëm për akuzat e ngritura nga SPAK.