Hapi çatinë, çau xhamat dhe u zhduk me 1.2 milionë €, grabitësi shqiptar frikëson Europën

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 26.11.2025, 13:59

Policia Kombëtare e Spanjës ka arrestuar më 22 tetor 2025 Shamir Hoxhën, 42-vjeç, shqiptar, të dyshuar për grabitjen spektakolare të një argjendarie në qendrën tregtare Plaza Norte 2 në San Sebastián de los Reyes, Madrid. Ai dyshohet se vodhi bizhuteri me vlerë 1.2 milionë euro.

Hetimet tregojnë se grabitja u krye më 28 prill 2025 gjatë një ndërprerjeje masive të energjisë, e cila la qendrën tregtare pa energji dhe pa funksionimin e sistemit të sigurisë. Hoxha përdori këtë mundësi për të çaktivizuar alarmet dhe bravat elektronike. Grabitja zgjati vetëm katër minuta, gjatë së cilës ai hyri nga çatia e jashtme, depërtoi në ambientet e brendshme, dhe nxori nga vitrinat 2.200 bizhuteri, përfshirë një koleksion ekskluziv ari të bardhë me diamante.

Ai u largua në këmbë nga qendra tregtare dhe më pas u nis për në Rumani, ku braktisi automjetin e përdorur për grabitjen. Policia gjurmoi lidhjet e tij ndërkombëtare dhe e arrestoi në periferi të Madridit, ku gjatë kapjes mbante një nga bizhuteritë e vjedhura dhe rreth 3.000 euro.

Shamir Hoxha, me origjinë nga Tirana, është i njohur për autoritetet policore evropiane si një grabitës inteligjent dhe metodik, i përfshirë më parë në grabitje bankash, trafik bizhuterish dhe mashtrime të sofistikuara në Spanjë, Itali dhe Francë. Ai zakonisht shmang përdorimin e dhunës dhe lëviz me kujdes për të mos lënë gjurmë.

Aktualisht Hoxha ndodhet në paraburgim në burgun Soto del Real, duke pritur gjykimin. Deri tani, autoritetet kanë rikuperuar rreth 800.000 euro në bizhuteri dhe para, ndërsa pjesa tjetër e plaçkës me vlerë mbi 1 milion euro vazhdon të jetë e humbur, dhe besohet se mund të jetë shitur në tregun e zi të Evropës Lindore.

Shefi i komisariatit të Madridit e ka përshkruar grabitjen si një operacion me nivel të pazakontë profesionalizmi brenda krimit të organizuar.

Në qendër të hetimeve mbeten të dhënat nga kamerat e sigurisë dhe bashkëpunimi ndërkombëtar me autoritetet rumune dhe shqiptare, të cilat kanë ndihmuar në lokalizimin dhe arrestimin e Hoxhës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit