Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, ku një 20-vjeçar me shtetësi rumune akuzohet për ngacmim seksual ndaj dy nipërve të tij, të moshës 2 dhe 4 vjeç. Ngjarja është bërë edhe më e shqetësueshme nga fakti se incidenti ka ndodhur në prani të mikut 40-vjeçar të dajës, me origjinë shqiptare. Sipas raporteve, të dy burrat kanë filmuar aktet e tyre ndaj fëmijëve të mitur.
Autoritetet greke kanë arrestuar të dy të dyshuarit për kryerje të akteve seksuale ndaj fëmijëve. Incidenti ndodhi ndërsa nëna e fëmijëve, motra e të riut 20-vjeçar, i kishte lënë fëmijët nën kujdesin e tij. Sipas mediave greke, pavarësisht nga natyra e turpshme e akteve, fëmijët nuk janë përdhunuar.
Çështja u zbulua kur fëmija 4-vjeçar filloi të shfaqte sjellje të çuditshme dhe tregoi për nënën e tij se çfarë kishte ndodhur më parë me dajën. E tmerruar nga rrëfimi, nëna paraqiti menjëherë një denoncim tek autoritetet. Dy djemtë u ekzaminuan nga një psikolog fëmijësh dhe një mjek ligjor, çka çoi në lëshimin e një urdhri arresti për të dy burrat.
Sipas raportimeve, të dy të dyshuarit ruanin materialet e filmimeve në telefonat e tyre celularë. Telefoni i 20-vjeçarit u gjet me materialin e filmuar, përveç disa skedarëve pornografikë që përfshinin fëmijë rreth moshës 5 vjeç. Para autoriteteve, daja i fëmijëve dyshohet se ka pranuar akuzat, duke deklaruar se veprimet e tij ishin për të kënaqur mikun 40-vjeçar, i cili nga ana tjetër ka mohuar pjesëmarrjen, duke akuzuar të riun 20-vjeçar. 40-vjeçari pritet të dalë para gjyqtarit hetues këtë të enjte.