Policia e Lushnjës ka shoqëruar deri tani 25 persona për të dhënë deklarime në lidhje me atentatin ndaj Juljan Sulës. Pjesa më e madhe e të shoqëruarve janë dëshmitarë që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes, ndërsa disa të tjerë janë persona që kanë pasur konflikte të mëparshme me 45-vjeçarin.
Megjithatë, vetë Sula nuk ka ndihmuar hetimin. Në dëshminë e dhënë menjëherë pas ngjarjes, ai ka deklaruar se nuk ka parë as identifikuar askënd nga autorët. “Nuk di asgjë, s’pashë asgjë. Vetëm dëgjova të shtënat dhe u fsheha nën sedilje për t’u mbrojtur”, ka thënë ai sipas burimeve hetimore.
Ndërkohë, policia po analizon pamjet e kamerave të sigurisë dhe po verifikon targën dhe pronësinë e automjetit që u gjet i djegur në fshatin Licaj, brenda të cilit u gjet edhe një pistoletë.
Atentati ndodhi paraditen e së martës, pranë stadiumit të Lushnjës, ku nga një automjet në lëvizje disa persona hapën zjarr me armë automatike dhe pistoletë. Si pasojë, Julian Sula u plagos në këmbë. Ai njihet për precedentë penalë dhe për konflikte të mëhershme me anëtarë të grupit të Aldo Bares.