"Premtim i mbajtur”, kështu shkruante në një postim në “Facebook” deputeti dhe drejtuesi politik i PS për qarkun e Dibrës, Blendi Klosi, lidhur me ndërtimin e rrugës Peshkopi–Lurë, e cila ende nuk ka përfunduar.
Por duket se cilësia e punimeve që po bën kompania “Arifaj ShPK” e Skënder Bokçiut janë skandaloze dhe një subjekt që duhet të merret në hetim nga SPAK për shpërdorim të fondeve publike. Teksa konçesionari vazhdon të ndërtojë rrugën përpara, kur kthen kokën pas, shikon se ajo që ndërtoi i është shembur.
Pamjet tregojnë qartë gjendjen në aksin Peshkopi–Lurë, një rrugë që banorët e zonës e kanë pritur për vite me radhë, por që me sa duket rrezikon të mos jetë e qëndrueshme.
Një banor i zonës shkruan: “Përshëndetje të gjithëve, kjo është gjendja e rrugës Peshkopi-Lurë e cila akoma pa përfunduar ka nisur të shembet dhe të jetë e rrezikshme për aksidente. Nuk ka asnjë llojë sinjalistike që paralajmëron shembje të dheut në rrugë.”
Rruga është dëmtuar pa u inauguruar ende, çka flet vetë për standardet skandaloze të punimeve.
Shkrimi u mor nga TVA News!