Pjesë e një grupi të lidhur me ’Ndragheta-n, autoritetet italiane kanë arrestuar 28 persona, mes tyre gjashtë shqiptarë, të dyshuar si hallka kyçe në një rrjet trafiku ndërkombëtar kokaine me vlerë rreth 27 milionë euro. Mes të arrestuarve rezulton edhe Marjus Aliu, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, i përfshirë më herët në ngjarjen e rëndë të vitit 2019 ku humbi jetën një kalimtar i pafajshëm gjatë një përplasjeje me armë. Aliu, i cili asokohe u hetua për konfliktin e dyshuar për territore të shpërndarjes së drogës, tani konsiderohet pjesë e një zinxhiri më të gjerë kriminal që bashkëpunonte me degë të ’Ndragheta-s’ në Kalabri.
Nga ana tjetër, Artur Hoxhosmani aktualisht i arrestuar në Shqipëri pas operacionit të SPAK dhe zbërthimit të komunikimeve SkyECC dyshohet se ka vepruar si bashkëpunëtor në trafikimin e sasive të konsiderueshme të drogës, duke pasur lidhje të drejtpërdrejta me Plaurent Dervishajn dhe Ervis (Alibej) Alibejn, të njohur nga hetimet e mëparshme për trafik ndërkombëtar dhe ngjarje të rënda kriminale. Sipas dosjeve hetimore, grupi ku bënte pjesë Hoxhosmani dyshohet se ka trafikuar disa tonë kokainë në tregjet europiane, ndërsa emri i tij është përmendur edhe në itinerare që përfshinin Anglinë.
Operacioni i fundit në Itali ka zbuluar se rrjeti kriminal përdorte porosi të koduara, ndërmjetës shqiptarë dhe metoda të sofistikuara për futjen e drogës në kontejnerë legjitimë, duke importuar kokainë nga Kolumbia e Brazili drejt porteve europiane. Hetimet, që shtrihen në disa shtete të BE-së, kanë dokumentuar mbi 3.5 tonë drogë të transportuar nga organizata, duke konfirmuar edhe një herë rolin e grupeve shqiptare si partnerë operativë të strukturave mafioze italiane.