Më 13 nëntor, në Brest të Francës, 30-vjeçarja Anjeza Zeneli u vra në banesën e saj nga bashkëshorti, Andon Janaqi, 36 vjeç, i cili më pas kreu vetëvrasje. Vetëm tre javë më parë, ajo kishte raportuar në komisariat dhunë psikologjike, por pa bërë kallëzim zyrtar.
“Doni të bëni kallëzim?” , ishte pyetja vendimtare që iu drejtua më 23 tetor në komisariatin e Brest-it. E ulur përballë oficerit, Anjeza hezitonte. Ajo kishte shkuar për të denoncuar dhunën e vazhdueshme psikologjike dhe kontrollin e sëmurë që burri ushtronte mbi të, i shtyrë nga xhelozia paranojake. Ishte e lodhur, e frikësuar, e drobitur. Por të hapte një procedurë ligjore kundër bashkëshortit? Jo. Ajo kërkonte vetëm që ai të merrte trajtim.
E kuptueshme, por tragjike. Në një vend të huaj, me dy fëmijë të vegjël, të kallëzosh personin me të cilin jeton është një vendim i dhembshëm. Duke refuzuar të depozitonte kallëzim, Anjeza – pa e ditur – mori një risk që do ta paguante me jetë.
Çifti ishte shpërngulur nga Shqipëria pesë vite më parë dhe prej gjashtë muajsh jetonin në një apartament në katin e katërt të një ndërtese të qetë në Brest bashkë me djemtë 8 dhe 3 vjeç. Andoni kishte punuar për një periudhë të shkurtër në sera, ndërsa Anjeza punonte në një hotel në qendër të qytetit. Nga jashtë, dukeshin një familje pa probleme.
Por sipas fqinjëve, tensionet ishin të pranishme: dhunë verbale, presion i vazhdueshëm dhe një xhelozi e sëmurë. “Ajo kishte frikë prej tij”, rrëfen një fqinje. “Ai ishte paranojak, imagjinonte se ajo kishte lidhje me çdo burrë.” Në komisariat, Anjeza pranoi presionin psikologjik, kontrollin, frikën, por mohoi dhunën fizike. Pa shenja goditjeje, nuk u konsiderua “rrezik i lartë”. Ajo kërkoi vetëm ndihmë për të dhe që ai të kthehej në shtëpi.
Pas një qëndrimi të shkurtër në strehën emergjente, u rikthye në banesën familjare, një vendim fatal.
Më 13 nëntor rreth orës 16:30, një fqinje dëgjoi “një britmë gruaje dhe një zhurmë të fortë”. Mendoi se ishte mobilje që po lëvizte. Pak çaste më pas, dikush trokiti në derë: djali 8-vjeçar i Anjezës, i qarë dhe i tmerruar, nuk arrinte ta hapte derën e shtëpisë. “Ai dridhej, kishte frikë edhe për vëllanë e vogël që duhej marrë nga shkolla”, tregon fqinia që thirri policinë.
Forcat e rendit, duke thyer derën e bllokuar, u përballën me një skenë të rëndë: Anjeza e pajetë në dysheme; në dhomën ngjitur, Andoni, i vdekur me karabinën në dorë. Kishte vrarë të shoqen dhe më pas veten.